Numërimi i 26 kutive, mbyllet rivlerësimi

01/06/2011 19:45

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi rivlerësimin e votave të kontestuara për 26 qendra votimi, sipas një kërkese ankimore të Partisë Demokratike.

E vërteta është se kur këto fletë janë kontestuar nga anëtarët e grupeve të numërimit, ato janë vlerësuar në cast nga KZAZ-të përkatëse.

Por demokratët kanë pasur shumicën vetëm në gjysmën e KZAZ-ve. Ndaj, ata hodhën dyshimin se në rastet kur fletët nuk janë vlerësuar me unanimitet, u lind e drejta të dyshojnë se me forcën e kartonit të shumicës, fletët e kontestuara mund të jenë vlerësuar gabim nga KZAZ-të.

Mirëpo përvec këtyre 26 qendrave të votimit, demokratët kanë kërkuar rivlersim edhe për ato 117 qendra votimi ku u gjetën fletë të hedhura në kutitë e gabuara.

Avokatët e Partisë Demokratike argumentuan se në atë moment KQZ nuk bëri rivlerësim, por vetëm numërim të disa fletëve të panumëruara më parë.

Si do të procedojë KQZ për t’i vlerësuar edhe njëherë fletët e konstetuara në këto 117 kuti?

Dy janë mundësitë: Ose të marrë për të mirëqenë vlerësimin që vetë KQZ i ka bërë përpara disa ditëve, ose do t’i hapë edhe njëherë kutitë dhe do t’i numërojë fletët fizikisht një për një.

Nga shpërndarja e votave të hedhura gabim, Lulzim Bashën doli përpara Edi Ramës me 81 vota. Pas hapjes së 26 kutive të reja, kjo diferencë zbriti në 78 vota para, po për kandidatin Basha.

Fletët e kontestuara në këto 26 kuti kishin probleme të ndryshme, si për shembull zgjedhësit kishin votuar me shenja të tjera përvec shenjave kryq apo plus.

Në mbledhjen e së enjtes KQZ do të vazhdojë sërish të diskutojë për këtë cështje, sepse kërkesa ankimore e Partisë Demokratike është bashkuar me 2 kërkesa ankimore të Partisë Socialiste dhe një kërkesë ankimore të Partisë së Pensionistëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA