Tatimet parashikojnë një tjetër muaj krize

28/05/2011 08:15

Shumë biznese po e shikojnë aktivitetin e tyre të rrënohet çdo ditë. Të pyetur nga “Shqip”, subjekte të ndryshme, sipas llojit, deklarojnë se xhiroja është përgjysmuar në krahasim me një vit më parë.

Faktet tregojnë se në muajin prill, si 4-mujor, të ardhurat tatimore ishin rreth 50 milionë dollarë më pak se viti 2010, ndërsa me planin rezultonin akoma e më keq.

Parashikimet nga ekspertët e fushës tatimore paraqiten të zymta edhe për muajin maj, periudhë kur u zhvillua kulmi i fushatës dhe zhvillimi i zgjedhjeve.

Megjithatë, bizneset shprehen se situata e dobët ekonomike nuk ka dhe shumë lidhje me fushatën sesa me qarkullimin e parasë dhe të forcës blerëse.

“Thjesht, aktiviteti është reduktuar. I mbaj të dhënat të shënuara për çdo muaj dhe nga krahasimet shikoj se xhiro po bie me 50 për qind. Konsumatorët nuk blejnë më si dikur. Duket sikur diçka i tremb, ndoshta edhe për shkak të çmimeve”, shprehet një subjekt në fushën e tregtisë.

Në tatime mësohet se shumë biznese nuk kanë deklaruar, jo vetëm tatimfitimin, por edhe detyrimet e tjera, si listë-pagesat e kontributeve apo TVSH-në, për të cilat, në rast mungese subjekti ndëshkohet me gjobë.

Pothuajse të njëjtën situatë paraqesin edhe zyrat e kontabilitetit dhe ekspertët kontabël, personat që janë në kontakt të vazhdueshëm me subjektet private.

“Vihet re një bllokim, një ngërç. Duket sikur një sektor i prekur nga kriza ka infektuar të tjerët dhe efektet po përcillen zinxhir”, shprehet Klodian Braçaj, ekspert kontabël.

Në tremujorin e fundit të 2010-s, shitjet me pakicë sipas INSTAT ishin 1.2 për qind më të ulëta se një vit më parë. Ndërsa në tremujorin e parë të vitit, importi i mallrave me konsum ishte 1.4 për qind më i ulët se e njëjta periudhë e 2010-s.

Top Channel