PD: Të hapen edhe 26 kuti

28/05/2011 16:05

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë të hënën një ankimim të Partisë Demokratike për rezultatin e Tiranës së bashku me dy ankimime të Partisë Socialiste dhe një tjetër të Partisë Popullore dhe Pensionistëve.

Thelbi i ankimimit të Partisë Demokratike ka të bëjë me pretendimet e kësaj force polkitike se në mjaft qendra votimi ka patur shumë fletë votimi të kontestuara që duhen marrë parasysh.

Bëhet fjalë për 26 qendra numërimi në katër minibashkitë e Tiranës me numër 3,5,8 dhe 9.

Partia Demokratike në dokumentin ankimor paraqitur nga juristët e saj në KQZ, kërkon që në tabelën përmbledhëse të rezultateve të përfshihen edhe votat që do të dalin nga proçesi i rivlerësimit.

Sipas përllogaritje të PD-së, janë 403 vota të kontestuara gjatë numërimit, nga grupet e numërimit të cilat demokratët, kërkojnë t’i bashkangjiten tabelës përfundimtare të Tiranës e mbyllur nga KQZ më datë 23 maj.

Në kërkesën ankimore drejtuar KQZ-së, Partia Demokratike e argumenton atë me faktin se aktualisht, në këtë fazë është me vend dhe me rëndësi për t’i shtuar legjitimitetin dhe besimin e duhur publik proçesit zgjedhor në Tiranë, që edhe këto vota të kontestuara dhe të identifikuara për kandidat të Bashkisë Tiranë të merren, të këqyren, të vlerësohen, rinumërohen dhe reflektohen në rezultat për kryetarin e Bashkisë Tiranë.

Kjo mundësi është tërësisht ligjore thuhet në vijim të kërkesës ankimore pasi këto vota janë në cilësinë “vota të cilat mbartin mëdyshje”, pavarësisht se ato i janë nënshtruar vendimarrjes respektive të KZAZ-ve, të njësive bashkiake të Tiranës dhe rezultati i vlerësimit të tyre është përfshirë në tabelë.

Ndërsa PS ka ankimuar në KQZ tabelën e rezultatit përfundimtar për Tiranën, por dhe tabelën e rezultatit për KZAZ-n 49.

Dy forcat më të mëdha poltike në vend ia drejtuan KQZ-s ankimimet e tyre dy ditë më parë, vetëm dy orë pas përfundimit të afatit ligjor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA