PD: Pretendimet në KQZ

28/05/2011 19:40

Partia Demokratike është shprehur kundër akuzave të selisë rozë në lidhje me mospërputhjen e tabelave të qendrave të votimit.

Zëdhënësja e kësaj partie, Albana Mustafaraj në një dalje për mediat, ka hedhur poshtë akuzat e sekretarit të përgjithshëm të PS-së, Gramoz Ruçi.

“Sot me zërin e Gramoz Ruçit shtron problemin e mospërputhjes së tabelave të rezultateve dhe për këtë mospërputhje, nuk ka paraqitur asnjë ankesë në Komisionin Zonal të Tiranës, ndonëse ligjërisht ka patur 72 orë afat. Përveç kësaj, ai nuk paraqiti për këtë çështje, as edhe një ankesë të vetme, as në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, edhe pse kishte 72 orë të tjera afat sipas ligjit, për të paraqitur çdo ankesë që dëshironte pranë këtij komisioni”, tha Mustafaraj.

“Partia Demokratike u bën me dije qytetarëve shqiptarë  se në përputhje me Kodin Zgjedhor, çdo forcë politike ka patur të drejtën ligjore të paraqesë çdo ankesë, si para KZAZ- së Tiranës ashtu edhe pranë KQZ-së, për çdo problem që kishte të bënte me procesin zgjedhor. Ne kemi besim se shqiptarët dinë të lexojnë mirë,  përpjekjet e Z. Rama, i cili për dy vite me radhë, kërkoi rinumërimin e votave, për zgjedhjet e vitti 2009, edhe pasi Gjykata për mungesë faktesh e kishte hedhur poshtë këtë kërkesë”, shtoi ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA