Malaj: Zgjedhjet rritën borxhin

28/05/2011 16:15

Ish ministri socialist i Financave, Arben Malaj parlajmëron se keqmenaxhimi i buxhetit për qëllime elektorale ka rikthyer sërish rrezikun e shthurjes së financave publike dhe rritjes së borxhit të qeverisë.

“Qeveria ka nxituar të përdorë para dhe ka marrë hua nga publiku dhe Banka Qendrore, tre herë më shumë se ç’mund të merrte duke shënuar një tejkalim të shpenzimeve operative”, tha Malaj.

Në katër muajt e parë të vitit, qeveria mori borxh nga bankat vendase 3 herë më shumë nga kufiri që i lejon ligji i buxhetit. Arben Malaj thotë se kjo shthurje e treguesve buxhetorë po bëhet me bekimin e Bankës së Shqipërisë.

“Autoriteti real i Bankës Qendrore është pikërisht vënia në kontroll e huamarrjes së brendshme, por kjo nuk ka ndodhur”, deklaroi Malaj.

Shpenzimet nuk janë zëri i vetëm që kanë devijuar nga programi. Edhe të ardhurat nga taksat më kryesore si akciza dhe tatimi mbi vlerën e shtuar kanë mosrealizime dyshifrore, duke paralajmëruar masa të detyruara në muajt e mbetur.

“Në kushtet kur qeveria është e detyruar të mbajë nën kontroll defiçitin do ketë shkurtime të shpenzimeve që do godasin të tjera zëra dhe kompanitë private duhet të bëjnë kujdes nga punimet e financuara”, theksoi Malaj.

Nëse treguesit e buxhetit nuk do të rikthehen brenda kufijve të parashikuar, qeveria mund të detyrohet të shkurtojë fondet për disa sektorë kyç të ekonomisë, si arsimi apo shëndetësia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA