Gjyqi ndaj Alket Rizait

28/05/2011 16:45

Një përmbysje të papritur në gjyqin e shtetasit shqiptar Alket Rizai në Athinë, ka sjellë denoncimi i dëshmitares kryesore të një vrasjeje të dyfishtë në vitin 2006, për të cilën ai është dënuar me dy herë burgim të përjetshëm në gjykatën e shkallës së parë.

Sipas dëshmitares në fjalë, ajo jo vetëm që nuk ka njohur tek i akuzuari në sallën e gjyqit, personin që ka kryer vrasjen në lagjen Peristeri të Athinës, por për më tepër, ka deklaruar se ka pasur presion nga policia greke për të dëshmuar, se ka qenë Alketi, autori i këtij krimi.

Lajmin e bën të ditur gazeta greke “To Thema” sipas së cilës dëshmitarja mohon që Rizai është vrasësi, duke shpjeguar se autori i krimit ishte mbi 46 vjeç dhe për më tepër ka qëlluar me dorën e majtë, ndërsa Rizai përdor dorën e djathtë dhe në vitin 2006 ishte vetëm 32 vjeç.

Ky zhvillim i ri në gjyqin ndaj shqiptarit më të përfolur në Greqi, që është karakterizuar nga mediat greke edhe si një nga personazhet kyçe të botës së krimit, rrëzon në një shkallë të madhe, shumë prej miteve të krijuar ndaj tij, midis tyre edhe atë të “shefit” të kontratave të ekzekutimit me vdekje.

Avokatët e tij shprehen tashmë se akuzat për këtë vrasje rrëzohen plotësisht dhe se shpresojnë se në seancën e radhës në 31 maj, gjykatësit do të ndryshojnë dënimet e gjyqit të shkallës së parë, të cilat janë marrë edhe të ndikuara nga dy arratisjet kinematografike me helikopter nga burgu i Korridallosë.

Për një prej këtyre arratisjeve spektakolare Rizai është dënuar me 28 vjet heqje lirie, ndërsa akuzohet edhe për një vrasje të një shtetasi grek në vitin 2003, për të cilën “Alki”, ashtu siç e thërrasin tashmë në rrethin e tij, nuk ka pranuar asnjëherë fajësinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA