
Eshtrat e dy personave të pushkatuar pa gjyq në 20 maj të vitit 1984 janë gjetur në fshatin Kuç të Shkodrës.
Të ekzekutuarit janë Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli të njohur si organizatorë të revoltës në burgun e Qaf Barit.
Kishte vite që familjarët e viktimave dhe shoqata e të përndjekurve politike organizonin ekspedita kërkimore për gjetjen e tyre.
Dy vite më parë në të njëjtin vend janë kryer gërmime, por pa sukses.
Kërkimi ka pasur rezultat vetëm pasi Ministria e Brendshme pas shumë kërkesash ka vënë në dispozicion të familjarëve një dokument sekret ku ndodhej edhe një skicë plan-vendosjeje të trupave të të pushkatuarve.
Identifikimi ishte i lehtë për shkak se pranë trupave ishte vendosur nga një shishe brenda të cilave kishte letra me emrat e viktimave. Familjarët e viktimave kanë shprehur kënaqësinë pasi mundën të rigjejnë të afërmit.
“Ishte një ngjarje tepër e rëndësishme për ne. Kemi 20 vjet kërkim dhe e deshi Zoti që u gjenden sot”, u shpreh Zef Ndoja, vëllai i Tomës.
“Gjetëm disa dokumenta dhe pas disa gërmimesh më në fund i zbuluam”, theksoi Arben Gjoni, i afërmi Sokol Sokolit.
Të dy të rinjtë që morrën pjesë në revoltën e Qaf Barit ishin nga 28 vjeç kur u pushkatuan pasi u akuzuan si organizator të revoltës. Ndërkohë në zonën në fjalë ku janë gjetur eshtrat dyshohet që të jenë groposur dhe shumë persona të tjerë të cilët janë ekzekutuar pa gjygj nga regjimi komunist.
Top Channel