
Eduard Kukan, kreu i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën jug-lindore sugjeron asistencën e Komisionit të Venecias ndaj Kolegjit Zgjedhor, në marrjen e vendimeve profesionale e të pandikuara nga politika.
Gjatë një interviste për “DW”, Kukan i bën thirrje Kolegjit të ndjekë procedura profesionale, transparente dhe të marrë vendime të pavarura nga politika.
“Baronesha Ashton dhe komisioneri Fyle dolën me një deklaratë të përbashkët në fillim të kësaj jave, ku u kërkuan partive vetëpërmbajtje, pasi procesi zgjedhor nuk ka përfunduar dhe Kolegji Zgjedhor pritet të marrë vendimet e tij”, ka deklaruar Kukan.
“Mendoj se institucionet ndërkombëtare mund të ndihmojnë në garantimin e marrjes së vendimeve nga Kolegji Zgjedhor, vendime që duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe të pavarura”, ka theksuar ai.
Sipas Kukan, dita e zgjedheve shkoi mirë në përgjithësi, zhvillimet e mëpasshme, krijuan probleme vetëm në Tiranë dhe jo në pjesë të tjera të vendit.
“Vendimi i KQZ preku integritetin e procesit zgjedhor. Shkurt, situata aktuale në Shqipëri është e ngjashme me atë të pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009”, tha Kukan.
Sipas tij, cfarë duket nga zhvillimet pas-zgjedhore janë mosmarrëveshjet e thella mes partive politike, të cilat shkaktojnë tensione të larta dhe çojnë në kërcënimin nga ana e opozitës për të bojkotuar përsëri Parlamentin, “gjë që nuk është normale në një shoqëri demokratike, e cila duhet të mbajë gjallë dialogun e vërtetë politik dhe të zgjidhë problemet”.
Pyetjes nëse kjo situatë dëmton integrimin europian, Kukan i përgjigjet: “Shumë seriozisht dhe me përgjegjësi them që e dëmton shumë Shqipërinë dhe sidomos dëmton rëndë interesat e njerëzve”.
Kreu i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën jug-lindore thotë se nuk është një qëndrim i mençur politik të bësh deklarata për ultimatume, apo paralajmërime për “mosbindje qytetare”.
“Këto nuk janë në linjë me vetëpërmbajtjen, që baronesha Ashton dhe komisioneri Fyle u kërkuan partive politike të Tiranës. Të bësh deklarata se unë jam fituesi dhe nëse jo, të organizosh protesta dhe demostrata, mendoj se nuk është qasja e duhur politike”, nënvizoi Kukan.
Kukan e mbyll intervistën duke thënë se pret nga politikanët e Tiranës që të sillen në mënyrë të përgjgjeshme dhe në interes të vendit.
Top Channel