Eto’o: Nuk largohem nga Interi

27/05/2011 16:40

Samuel Eto’o ka qetësuar tifozët interistë me anë të një letre ku nënvizon se do të qëndrojë tek Inter edhe pse ditët e fundit ka përjetuar një episod të shëmtuar racist në mes të Milanos.

“Jam befasuar shumë kur kam lexuar në disa gazeta se unë mund të largohem nga Interi për shkak të racizmit. Rrini të qetë, mendoj vetëm për të fituar Kupën e Italisë të dielën. Asnjë situatë që nuk ka lidhje me profesionin nuk mund të më largojë nga Interi, edhe pse më hidhëron shumë”, shkruan sulmuesi kamerunas.

Edhe presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka mbështetur qëndrimin e Eto’o: “Eto’o do të qëndrojë me ne 100%. Ai nuk ka ndërmend të largohet. Këto janë situata që ndodhin, por jo arsye për tu larguar.”

Para disa ditësh, Samuel Eto’o, është gjendur përballë disa tifozëve milanistë pranë shtëpisë së tij në Milano. Menjëherë sa e kanë parë, ultrasit kuqezinj kanë nisur koret raciste ndaj tij dhe ndërhyrja e truprojave të futbollistit ka bërë që tifozët të largohen.

Top Channel