Politika godet ekonominë

26/05/2011 15:30

Në tremujorin e parë të vitit, huatë në ndjekje, të cilat përfaqësojnë
kreditë me vonesa në shlyerje deri në tre muaj, shënuan një rritje të
papritur, me gati dy herë.

Edhe pse kjo kategori kredish zyrtarisht nuk cilësohet si borxh i keq, rritja e tyre është një sinjal i fortë që parlajmëron se në muajt në vijim, bankat mund të përballen me një tjetër kërcim të kredive të këqija, sakaq në nivele të larta.

Të dhënat tregojnë se ajo e tremujorit të parë ishte rritja më e madhe historike e kredive me vonesa në shlyerje, që bankat shqiptare nuk e patën provuar as në kulmin e krizës globale. E gjendur në këtë situatë Banka e Shqipërisë po i kërkon qeverisë forcimin e ligjit në ekzekutimin e garancive

Disa ekspertë që e njohin sistemin bankar thonë se ekonomia po ndjen kostot e krizës së zgjatur politik. Tremujori i parë përkon me kulmin e saj, në ngjarjet e 21 janarit. Ndërsa tensioni politik vijon të mbetet i lartë, situata përcjell tek publiku mesazhe pasigurie. Dhe përkeqësimi i portofolit të kredisë nuk është sinjali i parë që e paralajmeron këtë. Të dhënat zyrtare nga INSTAT dhe Banka e Shqipërisë kanë konfirmuar tashmë se në dy tremujorët e fundit konsumi ka rënë dhe qytetarët kanë pakësuar blerjet.

Në tremujorin e fundit të 2010 shitjet me pakicë sipas INSTAT ishin 1.2 për qind më të ulëta se një vit më parë. Ndërsa në tremujorin e parë të vitit, importi i mallrave me konsum ishte 1.4 për qind më i ulët se e njëta periudhë e 2010. Në kushtet e një pasigurie të rritur, qytetarët priren t’i shtyjnë në kohë vendimet për blerje dhe investime, cka shkakton rënien e konsumit. Debati i hershëm nëse tensioni i rritur politik ka apo jo pasoja në ekonomi po merr tashmë përgjigjet e para.

Top Channel