Mustafaj: Opinioni publik më lart se politika

26/05/2011 21:50

Besnik Mustafaj, ish-ministër i jashtëm, është shprehur se opinioni publik është treguar më i pjekur politikisht se sa vetë politika në zgjedhjet lokale të 8 Majit.

“2 partitë kryesore nuk kanë shprehur vërejtje për sjelljen e njerëzve gjatë votimit, vëzhguesit kanë thënë se zgjedhjet shkuan qetë, vëzhguesit vendorë kanë pasur vlerësime për shqiptarët dhe unë e ndjej të nevojshme të them se opinioni publik është më lart se vetë politika”, theksoi Mustafaj në emisionin Top Story.

Më tej, ai shtoi se tashmë gjithçka i është kthyer normalitetit: “Shqipëria është pezull, por mendoj se në fund të fundit sot jemi brenda një normaliteti. Përtej asaj që ka ndodhur kemi një realitet ku gjërat kanë shkuar në duart e drejtësisë. Të gjitha palët janë dorëzuar tek drejtësia dhe opinioni publik është në pritje të saj. Gjyqtarët nuk duhen paragjykuar sepse në këtë periudhë kanë nevojë më shumë për inkurajim. Do të kemi kohë më pas për të gjykuar mbi vendimet e tyre.”

Mustafaj nënvizoi se sipas tij i fituari i këtyre zgjedhjeve është Lulzim Basha, kandidati i Aleancës për Qytetarin: “Fituesi më i madh është Lulzim Basha i cili arriti të mobilizojë zgjedhësit. Ai ka marrë më shumë vota se Sokol Olldashi dhe Spartak Ngjela të marrë bashkë kur ata kandiduan për kryetar bashkie. Administroi mirë zgjedhjet dhe nxorri nga fushata Berishën. Ai ka fituar sfidën e tij si politikan, pavarësisht nëse e merr bashkinë apo jo.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA