Mallkimi i aventurave çeke në Shqipëri

26/05/2011 18:50

Duhej të ishte një udhëtim turistik me qëllimin e vetëm zbavitjen, por fati deshi që udhëtimi i radhës të kthehej në tragjedi.

Të martën që sapo lamë pas, një ngjarje e rëndë ka ndodhur përgjatë lumit Vjosë: 8 turistë çekë po lundronin me varka kanotazhi dhe një prej tyre, 34-vjeçarja Mikaela Jonakova, ka humbur jetën.

Turistët ishin të gjithë nga Cekia, por kjo nuk ishte hera e parë që udhëtare nga ky vend ndeshen me fatin e keq në Shqipëri. Një ngjarje e rëndë prej 10 vitesh endet nëpër dosjet e policisë.

Gjithçka filloi me tre të apasionuar pas alpinizmit, Mikael Pavelka, vëllai i tij Jan dhe mikesha e tyre Lenka Tuçkova, të gjithë të moshës 22 dhe 23 vjeç. Që prej 16 gushtit të vitit 2001 nuk ka asnjë gjurmë të tyre. Në datën 7 gusht tre të rinjtë kishin hyra nga Mali i Zi dhe i ishin drejtuar zonës së Thethit. Shoqëruesja e tyre shqiptare quhej Mira Qarku.

Në këtë dekadë kërkimesh ka pasur disa ekspedita të ndryshme që kanë përfshirë familjarët, ambasadën e Cekisë dhe të gjithë forcat e mundshme të policisë, por asnjë shenjë e tre turistëve derisa një ngjarje tjetër tragjike hapi rrugë për dyshime të reja. Shoqëruesja e tyre shqiptare, Mira Qarku, mësuese në një fshat të zonave të Dukagjinit, u gjet e vrarë dhe pas hetimeve rezultoi se kushëriri i saj Mican Qarku ishte autori i vrasjes, çka çoi policinë të mendonte për një lidhje të mundshme të rrethanave.

Duket sikur shkaku i vetëm i krimit brenda familjes të ishte grabitja që kreu Mican Qarku ndaj kushërirës së tij, por lidhja me turistët çekë është e pashmangshme. Telefonata e tyre e fundit ndaj familjes ka qenë më 16 gusht ndërsa për herë të fundit janë parë në fshatin Mes, rreth 6 kilometra në veri të Shkodrës nga njerez të shumtë mëngjesin e 8 shtatorit e më pas humbja.

Një ngjarje tronditëse që fatkeqësisht lë shijen e keqe ndaj vendit tonë e që pasohet nga një tjetër aventurë e shkuar keq e diteve te fundit. Kërkimet për tre të humburit nuk kanë reshtur ende megjithë gjasat e pakta përpos shpërblimit prej 100 000 dollarësh që vazhdon të jetë në fuqi.

34-vjeçarja që humbi jetën para pak ditësh ishte gjithashtu e apasionuar pas natyrës shqiptare. Ajo së bashku me shokët e saj nuk e kishin për herë të parë vizitën në vendin tonë, për më tepër kishin njohje të terrenit.

Bukuritë natyrore i kanë sjellë në vendin tonë, por rrethana fatkeqe i kanë bërë që të mos largohen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA