Kolegji shuan ankesën e parë

26/05/2011 15:55

Seanca e parë ankimore për Tiranën grumbulloi në sallën e ngushtë të Kolegjit një numër jo të vogël avokatësh dhe juristësh politikanë:

Eno Bushi, Arian Salati dhe Eridian Salianji për Partinë Socialiste, por edhe njëri prej bashkautorëve të Kodit aktual Zgjedhor, deputeti Damian Gjiknuri.

Përballë tyre, avokati Ivi Kaso, bashkautori teknik i kodit, Oerd Bylykbashi, ish-specialist i OSBE-së për cështjet zgjedhore dhe aktualisht drejtor i kabinetit të kryeministrit, por si degjues të thjeshtë edhe dputetët Eduard Halimi, ish-Avokat i Shtetit dhe Ilir Rusmali, ish-ministër i Drejtësisë dhe kryetar i komisionit parlamentar të ligjeve.

Mes tyre qëndronin juristët e KQZ-së. Partia Socialiste kërkoi që Kolegji Zgjedhor të detyrojë KQZ-në të nxjerrë tabelën përmbledhëse të njësisë bashkiake numër 5, mbi bazën e tabelave përmbledhëse të grupeve të numërimit.

Më pas, mbi bazën e tabelave përmbledhëse të KZAZ-ve të Tiranës, të nxjerrë tabelën përmbledhëse të bashkisë Tiranë. KQZ argumentoi se e ka bërë këtë gjë, por Partia Socialiste u kundërpërgjigj se KQZ i ka nxjerrë tabelat pasi ka rivlerësuar disa qindra vota të hedhura gabim.

Në përfundim, Kolegji vendosi pushimin e cështjes. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se për Kolegjin kjo cështje zëre se nuk ka ekzistuar fare.

Kolegji u ndal vetëm në aspektin procedurial, pra Partia Socialiste i kërkoi që të detyrojë KQZ-në të nxjerrë tabelat e rezultatave, ndërkohë që KQZ i kishte nxjerrë tabelat.

Por Kolegji nuk i hyri shqyrtimit në themel, nëse nxjerrja e këtyre tabelave prej KQZ-së është ligjore, apo në shkelje të ligjit.

“Kolegji Zgjedhor ishte në pozicionin që edhe sot mund të jepte një vendim të drejtë, sepse argumentat tona ishin të qarta dhe nuk pati asnjë argument tjetër kundër. Kolegji nuk u investua në themelin e problemit”, deklaroi pas seancës deputeti i PS, Damian Gjiknuri.

Ditën e premte Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë kërkesën tjetër të Partisë Socialiste, ku i kërkohet të shpallë të pavlefshëm, sepse të pabazuar në ligj, nxjerrjen e tabelave sipas procedurës që ndoqi KQZ.

Ndërkohë, Partia Socialiste depozitoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një kërkesë ankimore për tabelën përmbledhëse të Tiranës të nxjerrë nga KQZ. Me një fjalë, beteja ligjore për Tiranën, sapo ka filluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA