Një ditë pas vendimit të KQZ-së që miratoi tabelën e ndryshuar pas rinumërimit të fletëve të hedhura në kutitë e gabuara, përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste pranë këtij institucioni, Eridian Salianji ritheksoi edhe njëherë qendrimin e opozitës për rrugën e ndjekur nga KQZ.
Duke folur në Top Show, juristi i PS-së tha se KQZ nuk ka qenë në gjendje të japë një përgjigje për procedurën, rregullin e ndjekur për numërimin e fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara që ndryshuan tabelën përmbledhëse për Tiranën.
“Kemi kërkuar procedurën e ndjekur nga KQZ që në fillim të këtij procesi dhe deri ditën e djeshme nuk e morëm përgjigjën. E gjithë procedura është e papërcaktuar pa rregulla dhe veprim i nxituar e i jashtëligjshëm. Të gjitha fletët kanë qenë të vlerësuara nga KZAZ-të, disa të vlefshme disa të pavlefshme dhe disa të kontestuara”, tha zoti Salianji.
Më tej, avokati PS-së tha se KQZ doli jashtë funksionit që i përcakton neni 122 pika 6 e Kodit Zgjedhor.
“KQZ doli jashtë funksionit dhe shpiku një institucion. Në Kodin Zgjedhor KQZ, sipas nenit 122 pika 6 bën vetëm aritmetikën, duhet vetëm të nxjerrë rezultatin e tabelave të 11 KZAZ-ve”, tha ai.
Sipas përfaqësuesit ligjor socialist rruga e ndjekur nga KQZ deri ditën e djeshme s’ka cuar gjëkundi, por vecse në ndryshimin virtual të rezultatit, pasi sipas tij, tabelat e grupeve të numërimit, që janë baza e të gjithë rezultatit.
“Qeliza janë tabelat e grupeve të numërimit dhe e KZAZ-ve. Tabelat kanë ndryshuar vetëm virtualisht. Tabela e grupit të numërimit nuk ndryshohet. KQZ nuk mund të ndryshojë tabelën e grupit të numërimit”, tha Salianji.
Avokati mbylli argumentin e tij duke thënë se përfaqësuesit ligjorë të PS-së, gjatë gjithë periudhës së rivlerësimit të fletëve të hedhura në kutitë e gabuara, mblodhën fakte për shkeljet, sipas tij, të bëra nga KQZ.
Top Channel