PS: Kolegji të zbatojë ligjin

25/05/2011 20:30

Opozita mbështeti sot apelin e ndërkombëtarëve që Kolegji Zgjedhor të veprojë në mënyrë të pavarur dhe jashtë presionit politik.

Deputeti Ditmir Bushati tha se gjykatësit duhet të vendosin në vend drejtësinë e shkelur nga katër anëtarët e KQZ-së.

“Kolegji Zgjedhor ka detyrimin përpara shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë të vendosë drejtësi aty ku katër përfaqësuesit e pushtetit në KQZ shkelën cdo ligj e normë demokratike”, deklaroi Bushati.

Sipas tij, ky ishte dhe apeli që ndërkombëtarët i kanë bërë Kolegjit. “PS bashkohet me apelin e komunitetit ndërkombëtar që Kolegji Zgjedhor në punën e tij të udhëhiqet nga ligji dhe të mos dorëzohet përballë presioneve të pushtetit”, shtoi Bushati.

Ndërkohë, Partia Demokratike kërkoi që të mos ushtrohet presion politik ndaj Kolegjit dhe socialistët të presin e respektojnë vendimin.

“Ne jemi dakort me Partinë Socialiste se procesi i integrimit europian të Shqipërisë është jetik, ndërkohë që vazhdon procesi ligjor për të vendosur mbi rezultatin e ngushtë në zgjedhjet e Tiranës. Megjithatë, i kujtojmë Partisë Socialiste, se Europa nuk kërkon të shohë se kush fitoi apo kush humbi, por nëse procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë të ndershme, transparente dhe sipas ligjit”, deklaroi zëdhënësja Jorida Tabaku.

“Çdo deklaratë e ndërkombëtarëve ka theksuar nevojën për vendime të bazuara në ligj, dhe jo sipas interesave politike. Partia Demokratike beson tek Kushtetuta e Shqipërisë dhe Ligjet Ndërkombëtare, që thonë se cdo votë është e barabartë dhe se cdo votë duhet vlerësuar drejt. Përse Edi Rama vazhdon ta mjegullojë cështjen, në vend që të pranojë  se ai ka frikë nga respektimi i këtyre parimeve? Sepse ai ka frikë nga vendimet e institucioneve të pavarura, nga numërimi i cdo vote, nga dëgjimi i zërit të  cdo qytetari”, vijoi ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA