Juve, Marotta beson tek blerja e Agueros

25/05/2011 10:35

Giuseppe Marotta, drejtori sportiv i Juventusit, në një intervistë për Tuttosport shpreh besimin e tij se tratativat për të sjellë në Torino sulmuesin e Atletico Madrid, Sergio Aguero, do të kenë sukses.

Zonja e Vjetër është i vetmi ekip që ka kontaktuar me futbollistin argjentinas para se ky i fundit të shprehte publikisht dëshirën për tu larguar nga kryeqyteti spanjoll.

“Vitin e kaluar bëmë një merkato të shpejtë për efekt të kohës, por kësaj radhe është ndryshe. Kemi vepruar me qetësi dhe në kohën e duhur”, shton Marotta i cili beson se Juventusi vazhdon të mbetet një ekip që tërheq yjet e futbollit botëror.

Problemi i vetëm, sipas Marottës, është se bardhezinjtë nuk po kalojnë një moment të mirë ekonomik: “Transferimet janë të vështira sepse klubet kërkojnë shifra të çmendura për lojtarët e tyre, por e rëndësishme është që vetë lojtarët kanë dëshirën për të luajtur me ne.”

 

Top Channel