Greqi kapet rrjeti i trafikantëve të drogës

25/05/2011 23:25

Gati 300 kg kokainë janë zbuluar dhe konfiskuar nga policia greke në portin e Selanikut pas një operacioni të përbashkët të anti-drogës së Athinës dhe Selanikut si dhe të burimeve nga ambasada amerikane në kryeqytetin grek.

Operacioni është kryer pas një hetimi të gjatë prej dy muajsh dhe vlerësimit të informacioneve se brenda një konteineri që do të vinte nga Paraguaji dhe që transportonte lëndë drusore do të kishte edhe lëndë narkotike.

Kështu, pasi kjo ngarkesë ka mbërritur në portin e Selanikut brenda paletave me dru janë zbuluar 280 paketa me 292 kg kokainë të pastër. Anëtarët e grupit të trafikantëve, që tashmë janë arrestuar nga policia greke janë 9 persona nga Argjentina,Greqia dhe Shqipëria, por identiteti i tyre ende nuk bëhet publik për shkaqe hetimi.

Ata do të merrnin ngarkesën që kishte destinacion Bullgarinë, por gjatë rrugës nëpër kufij, do të shpërndanin drogën në tregun vendas e më pas drejt Europës.

Shumë prej tyre kanë kryer edhe në të kaluarën vepra penale në Greqi. Më pas ata janë cuar në prokurori ku u është dhënë akuza e pjesëmarrjes në një grup kriminal dhe e trafikimit të lëndëve narkotike.

Gjithashtu u janë konfiskuar disa telefona celularë dhe paratë që dispononin. Hetimi vazhdon sepse nuk përjashtohet mundësia që personat në fjalë të kenë sjellë edhe ngarkesa të tjera me lëndë narkotike nga Amerika Latine.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA