Vendimi i KQZ-së, reagon Ashton dhe Fule

24/05/2011 21:35

Qendrimi i shprehur nga zëdhënësja e Komisionit Evropian, Natasha Batler, kur u pyet në mesditë nga TCH mbi njohjen e rezultatit të KQZ-së dhe përmbushjen e standardeve ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, është përforcuar në mbrëmje dhe nga përfaqësuesja e lartë Ashton dhe Komisioneri për Zgjerim Fule.

Përmes një deklaratë të përbashkët, Ashton dhe Fule përsërisin se “kanë mbajtur shënim rezultatin e KQZ-së, por llogjika ligjore e përdorur nga KQZ për të për të numëruar votat e kontestuara është një çështje shqetësuese”.

Dy zyrtarët e lartë të BE-së insistojnë se “proçesi zgjedhor nuk ka mbaruar. Bashkimi Europian do të ndjekë nga afër mbylljen e proçedurave të ankesave dhe publikimin e rezultatit përfundimtar, si dhe vlerësimin e proçesit nga OSBE/ODIHR”, thuhet në komunikatën për shtyp, duke nënvizuar sërish se “BE pret që proçedurat për ankesat do të jenë të ndershme, transparente dhe se ato do të kryhen në mënyrë të pavarur e në përputhje të plotë me kuadrin ekzistues ligjor”.

Thirrjes se Buttler për të gjetur zgjidhje ligjore konsensuale për ato çështje që nuk përcaktohen qartë në Kod, duke lënë mundësi për interpretime juridike, Ashton dhe Fule i shtojnë dhe një sqarim të posaçëm:

“Për këtë qëllim palët duhet të hyjnë menjëherë në dialog, në mënyrë që të bien dakord për një kuptim të përbashkët sesi t’i drejtohen çështjes së votave ‘të gabuara’. Kërkesa për këshille të pavarur nga jashtë për vendimin  e diskutueshëm të KQZ-së mund të jetë një opsion për t’u konsideruar”.

Në përfundim të qendrimit të tyre, përfaqësuesja e Lartë e BE-së dhe Komisioneri për Zgjerim bëjnë thirrje që interesat e vendit të mbizotërojnë ndaj interesave partiake dhe se “udhëheqësit politikë duhet të jenë në lartësinë e aspiratave demokratike dhe europiane të qytetarëve shqiptare”.

 

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA