Ngjarja e turpshme e 20 shkurtit

24/05/2011 18:45

Në Tiranë janë përqendruar shumica e gazetarëve shqiptarë, të gjitha llojet e mediave dhe shpejtësia e informacionit është rritur ndjeshëm, por një lajm goxha i zhurmshëm kaloi pa u transmetuar për ditë me rradhë.

Bëhet fjalë për komunitetin rom që ishte vendosur pranë tregut Jordan Misja, menjëherë pas stacionit të trenit në kryeqytet. Opinioni publik u njoh me këtë fakt shumë vonë, ndërkohë që drama ishte zhvilluar për këtë komunitet.

“Erdhën njerëz me hekura e me drurë. Ishin tropojanë”, thotë një grua rome.

Kaq mjaftoi dhe zhurma e përhershme filloi, por specifikat e këtij komuniteti bënë që të kishte dhe deklarata jo të zakonta. Policia nuk e mësoi në kohë se dhjetëra familje ishin dëbuar me dhunë dhe përpos nisjes së procedurave kërkonte bashkëpunimin e fatkeqëve të përzënë natën nga ato që zor se mund të quheshin shtëpi.

Por pas kësaj deklarate të cilën mesa duket disa anëtare të këtij komuniteti e morën seriozisht, gjërat nuk duket se shkuan aq mirë.

“Asgjë nuk bënë edhe pse i dinin personat kush ishin”, shton gruaja.

Kjo është pamja se si duket sot fusha prapa stacionit të trenit ku për mbi një dekadë ishin vendosur shumë familje rome. Djegia e barakave u bë shumë shpejt dhe pastrimi gjithashtu, tashmë nuk ka mbetur më asnjë gjurmë e asaj jete që bëhej aty. Por, që nga fundi i shkurtit çfarë ka ndodhur me këto familje të varfëra?
 
“Ne mbetëm 1 muaj jashtë dhe flinim në lulishte. Më pas ata të ministrisë na gjetën çadrat”, thotë një tjetër anëtare e komunitetit rom.

Ndodhemi tek kampi i ndërtuar për disa prej familjeve rome që u dëbuan me dhunë. Situata duket tmerrësisht provizore dhe ankesat për një menaxhim jo të mirë të fondeve janë të mëdha.

Dy shtetas janë arrestuar nga policia për dhunë me bazë etnike dhe djegjen e banesave, por numri i personave që kanë shkaktuar këtë eksod në mes të Tiranës duket të ketë qenë më i madh.

 “Ishin 25 persona që na larguan”, tregon një nga romët.

Ende janë të paqarta shkaqet që shtynë këta persona të përzinin romët dhe të ustronin kaq shumë dhunë.

Ditët e para u fol për një shesh ndërtimi e megjithatë këto janë çështje që nuk duket se i shqetësojnë këta njerëz që primare kanë mbijetesën në këto çaste që sa vijnë e bëhen më dramatike.

Gjatë marsit të këtij viti u bënë disa mbledhje dhe u duk se u morën masa urgjente prej të cilave romët u kthyen në këtë kamp me plot premtime.

Ata u dëbuan, u dogjën gjithë ç’kishin. Brenda atyre kasolleve të improvizuara në rezidencë, përfshi ndonjë para e ndonjë mjet pune, më pas u shpërndanë nëpër Shqipëri dhe në këtë kamp në periferi të Tiranës ndodhen ata që ishin më të dobët dhe duket se do të duhet shumë kohë që të sqarohet padrejtësia dhe fati i mëtejshëm i atyre që para se të jenë romë janë mbi të githa njerëz.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA