Në tabelën përmbledhëse të rezultatit për kryetar të Bashkisë Tiranë rezulton se në kuti janë gjetur 870 vota më shumë se numri i zgjedhësve që kanë votuar.
Megjithatë kjo mund të ndodhë, kur dikush, përpara se të votojë, harron të firmosë përkrah emrit të tij në listën e zgjedhësve.
870 vota më shumë, ose thënë ndryshe, 870 zgjedhës harraqë janë mesatarisht 1.7 zgjedhës për qendër votimi.
Një shifër statistikisht e pranueshme për specialistët e zgjedhjeve. Mirëpo tabela përmbledhëse ka një tjetër mospërputhje.
Le të shohim pak vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vlerësimin e fletëvë të hedhura në kutinë e gabuar.
Po të mbledhësh një për një këto vota të hedhura gabim, rezulton se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka shpërndarë të tre kandidatëve për Bashkinë e Tiranës 250 vota gjithsej.
Në tabelën përmbledhëse për Bashkinë e Tiranës diferenca e votave është në fakt 238.
Nuk po ndalemi se ku shkuan 12 vota, por po marrim për të mirëqenë këtë diferencë, siç konstatohet në tabelën përmbledhëse të Tiranës.
Në dokumentin me vlerë zyrtare, diferenca del nga votat e vlefshme dhe të pavlefshme dhe fletët e gjetura realisht në kuti.
Kjo mospërputhje në fakt është logjike, sepse votat shtesë që u janë rishpërndarë kandidatëve, kanë qenë fizikisht jo në kutinë e kryetarit të bashkisë, por në kutinë e kryetarit apo këshillit të minibashkisë.
Dy janë mundësitë për këtë mospërputhje: Ose një person ka votuar 2 herë në të njëjtën kuti, pra në kutinë e kryetarit të minibashkisë ka hedhur edhe votën për kryetarin e minibashkisë edhe votën për kryetarin e bashkisë.
Ose kutitë janë mbushur më pas, në përfundim të proçesit të votimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka një shpjegim zyrtar për këtë mospërputhje shifrash.
Por edhe nëse do ta kishte, një situatë normale kërkon një përputhje aritmetikore të shifrave.
Shifrat rakordohen duke parë numrin e zgjedhësve që kanë votuar, numrin e fletëve të gjetura në kuti dhe stokun e fletëve të papërdorura.
Por për këtë, duhen hapur të katër kutitë. Tirana kishte 485 qendra votimi nga 4 kuti secila, shumëzim me 2, për të llogaritur edhe kutitë e materialeve zgjedhore, japin gjithsej 3880 kuti.
Për shqyrtimin e të cilave do të duhej më shumë se 6 muaj kohë.
Top Channel