Messi: Finalja nuk ka favoritë

23/05/2011 20:30

Lionel Messi, sulmuesi i Barcelonës, ka theksuar se një finale e Ligës së Kampioneve nuk ka favoritë.

“Një finale ku luajnë dy ekipe si Barcelona dhe Manchester United nuk ka favoritë. Është një ndeshje e veçantë ku të dy ekipet mund të fitojnë dhe vetëm detajet do të bëjnë diferencën. Nuk mendoj se Manchester United është më i dobët se Barcelona. Ata kanë fituar kampionatin anglez dhe kanë arritur finalen e Champions. Përveç kësaj kanë lojtarë si Rooney, Hernandez dhe Valencia”, u shpreh ylli argjentinas duke iu referuar finales që do të luhet të shtunën në Wembley.

Messi është autor i një goli në fitoren 2-0 që katalanasit arritën në finalen e Romës të vitit 2009 dhe ku kundërshtar ishin sërish anglezët e Sir Alex Ferguson.

“E kujtoj me kënaqësi finalen e Romës, por tashmë ajo ka kaluar. Do të jetë një ndeshje krejt tjetër kësaj radhe. Ndeshemi me një ekip të madh që ka lojtarë të mëdhenj”, shtoi Messi.

Top Channel