Aventura e gazetarit të 21 Janarit

17/05/2011 19:10

21 Janari i 2011-s nuk është thjesht një material për konsum politik, një debat i nxehtë mes krahësh.

Është mbi të gjitha drama personale e shumë njerëzve. Një nga gjykimet më objektive mbi atë të premte të dhunshme do të duhej të bëhej për rastin e Fatos Mahmutajt, një gazetar i kronikës së zezë në një televizion në Tiranë.

Mund të thuhen gjithfarë gjërash për katër demonstruesit e vrarë, çfarëdo justifikimi do të ishte i pritshëm, por Fatos Mahmutaj në orën 15 po raportonte me telefon me studion e televizionit ku punonte dhe në atë çast merr një plagë plumbi në dorë, i njëjti plumb që mori jetën e Hekuran Dedës. Të dy ndodheshin në të njëjtën platformë, pak centimetra nga njëri-tjetri.

Eurel Mahmutaj është vëllai i Fatosit.

“Fillimisht ne morëm vesh lajmin se Fatosi ishte plagosur, por menduam se do ishte shtyrë nga turma. Më pas e morëm vesh se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë”, tregon vëllai i gazetarit.
 
Epiqendra e misterit që ndodhi në mes të bulevardit, nën vëzhgimin e dhjetra kamerave është dinamika e ngjarjeve dhe mbi të gjitha dinamika e të shtënave. Nga erdhën, cilat armë shtinë dhe kjo do të çonte në shumë përgjigje, por pas plagosjes Fatos Mahmutaj po mendonte sërish për punën e tij dhe detyra e një gazetari, fatkeqësisht është të raportojë atë që pa me sytë e tij.

“Fatosi kishte shumë përkushtim për punën dhe është mjekuar nga një ambulancë që ndodhej aty. Më pas shkon në redaksi dhe aty, televizioni që duhet ta përkrahte tentoi ta manipulonte”, shton Eureli.
 
Kjo është drama personale e Fatos Mahmutajt e treguar nga vëllai i tij si pjesëtar i asaj familjeje që e shoqëronte në dilemat personale gazetarin 33 vjeçar, por përpara vuajtjeve psikologjike sigurisht vinin ato fizike. Plumbi sapo kishte bërë një shëtitje tej për tej dorës së tij të djathtë.

“Fatosi u nis për në spital ku mori mjekimin. Mjekët i thanë që nuk ishte ndonjë gjë për tu shqetësuar. Më pas, Fatosi jep deklarimet për Prokurorinë në mjekësinë ligjore ku përsëri aty u tentua të manipulohej raporti mjeko-ligjor”, vazhdon i vëllai.
 
Edhe pse orët kalonin në atë pasdite janari që ishte shumë më e nxehtë seç pritej, Fatosi endej mes spitalit, Prokurorisë dhe rrugëve të kryeqytetit me dorën e plagosur dhe me një diagnozë të gënjeshtërt.

“Plaga po përkeqësohej dhe dora filloi të enjtej. Gishtat e dorës nuk i lëvizte dot më”, thotë Eureli.
 
Koincidenca e solli që gazetari mallakastriot të gjendej në syrin e ciklonit. Për të dhe familjen e tij pesha bëhet shumë e madhe. Ndërgjegjia plus gjendja në vendin dhe kohën e gabuar në ngjarjen më të rëndë të viteve të fundit është një kombinim eksploziv dhe vendimi për të ardhur në Top Channel dhe për të rrëfyer atë që pa duke mos gjetur hapësirë tjetër do t’i kushtojë shtrenjtë.

Por së pari, cila është fraza që do t’i kushtojë shumë atij personalisht: “I sqarova mirë prokurorët që plagosja ime ka ardhur nga gardisti.”
 
Atë ditë ai duhej të ishte heroi, por u bë gjithçka që ai të thyhej dhe të heshtte, ndonëse pa sukses.

“Fatosi ndryshoi shumë. Ai ndihej shumë i zhgënjyer nga punëdhënësit dhe u mbyll në vetvete”, thekson Eureli.
 
Ajo që nuk ka zënë shumë vend në informacionet që publiku ka marrë në ditët në vijim është fakti që Fatos Mahmutaj u largua nga Shqipëria, shumë shpejt, shumë i rrezikuar dhe shumë i trishtuar, por për të keqen e tij i bindur në atë që i kishin parë sytë.

“Fatosi u largua nga Shqipëria si pasojë e kërcënimeve. I thonin që bëri gabim që dha deklaratën për prokurorët dhe që shkoi në Top Channel”, shton Eureli.
 
Përfytyroni për një çast pozitën e Fatosit, i detyruar të largohet për shkak të presioneve dhe në një moment të tillë i vjen një lajm akoma më i hidhur.

“2-3 ditë pasi Fatosi do të largohej e merr në telefon një i njohuri i vet që është kontrollor në aeroportin e Rinasit dhe i thotë që ka një urdhër verbal për drejtuesit e aeroporteve dhe porteve se Fatos Mahmutaj nuk duhet të largohet nga Shqipëria”, rrëfen vëllai i gazetarit.
 
Pesha mbi familjen e tij është jashtëzakonisht e madhe. Laku mbi të sa vjen e shtrëngohet dhe del në skenë nevoja për të mbijetuar mbi të gjitha. Ikja e tij ishte e dëshpëruar.

“Ka ikur gjysmë-klandestin nga porti i Vlorës. Fatosi mbërriti në Itali dhe nga aty në Belgjikë. aty paraqiti kërkesën për azil politik”, tregon Eureli.
 
Mbase marrja e statusit të azilantit politik ishte një lehtësim për familjen e tij dhe u duk sikur do të fillonte një seri lajmesh të mira, por mjekët belgë do t’i raportonin reporterit një të vërtetë tjetër: “Mjekët konstatuan se nuk kishte një dëmtim të lehtë në dorë, por kishte 3 kocka të thyera.”

 Fatos Mahmutaj është një koleg, një azilant, një viktimë e gjithë këtij ambienti tek i cili kontribuojmë të gjithë dhe nga i cili strehimi politik për njerëz të rrezikuar si ai dhe gazetarë të tjerë, duket shpëtimi i vetëm.

Top Channel