Gattuso: Cështja u ekzagjerua

11/05/2011 11:30

Kori “Leonardo, burrë m…” që u këndua nga Gattuso në festën e titullit kampion të Milanit në Romë ka hapur shumë polemika në Milano.

Leonardo, trajneri i Interit që vitin e kaluar ishte nën drejtimin e Milanit, kërkoi ditën e djeshme shpjegime për këtë dhe Gattuso ka dhënë përgjigjen.

“Përgjegjësitë e mia unë nuk i anashkaloj kurrë. Them vetëm që e gjithë kjo polemikë për diçka të vogël më duket e ekzagjeruar. Nëse do kthehesha mbrapsht, nuk do ta bëja më”, u shpreh Gattuso për La Reppublica.

“E kalova kufirin. E di që nuk kam qenë një shembull i mirë për fëmijët. Këtë vit kam bërë shumë budallallëqe, më shumë seç kam bërë në gjithë karrierën time”, shtoi mesfushori i Milanit.

Edhe Milani ka reaguar ndaj këtij kori, duke mos e bërë të madhe çështjen: “Kori i Gattuso-s ishte pjesë e festimeve për titullin kampion. Asnjë pjesëtar i Milanit nuk i kërkoi llogari Marco Materazzi-t i cili u tall me shoqërinë tonë duke vënë një maskë të presidentit Silvio Berlusconi sezonin e kaluar”.

Top Channel