Herbert: Schumacher do të tërhiqet nga F1

10/05/2011 19:45

Ish-piloti britanik Johnny Herbert mendon se etapa e dytë në Formula 1 e Michael Schumacher do të përfundojë në fund të këtij sezoni.

“Schumacher nuk u kthye në gara për të qenë një pilot që përfundon në vendet e mesme të renditjes. Ai donte të rikthehej dhe të fitonte sërish titullin botëror, por duke qenë se nuk ia arriti dot, mendoj se në fund të sezonit do të tërhiqet”, u shpreh Herbert, i cili ka qenë shok skuadre me Schumacher në vitin 1995 tek skuderia Benetton.

Herbert shtoi se mosha e gjermanit 7 herë kampion bote, 42 vjeç, nuk e lejon për të arritur nivelin e kampionëve të rinj si Fernando Alonso, Sebastian Vettel dhe Lewis Hamilton.

“Schumacher nuk do të jetë më piloti më i shpejtë. Jo se ka humbur aftësitë e tij, por pilotët e rinj janë më të mirë se ai. Niveli për të qenë kampion bote është rritur dhe ai nuk mund ta arrijë më këtë nivel”, shtoi Herbert.

Michael Schumacher u rikthye në Formula 1 në vitin 2009, por nuk ka arritur të ngjitet në podium në asnjë nga garat e zhvilluara që nga ky rikthim.

Top Channel