Skënderbeu, Kampion i Shqipërisë

04/05/2011 23:20

Skënderbeu është Kampioni i Shqipërisë për të dytën herë në historinë e këtij klubi me një diferencë prej 78 vitesh nga titulli i parë, të cilin e ka fituar në edicionin e katërt të kampionatit shqiptar në vitin 1933.

Kjo fitore mban për momentin në 4 pikë diferencën e vendit të dytë që është Flamurtari, një ndeshje përpara përfundimit të këtij sezoni i cili për gjithcka ndodhi deri edhe në këto ndeshje të fundit pritet me padurim të mbyllet e ndoshta të harrohet.

Pas një ecurie mes meritave e dyshimeve Skëndërbeu fiton cuditshëm edhe në këtë javë të 32-të me skuadrën e fundit Elbasanin.

Ajo që befason këdo është koha shtesë e pjesës së parë edhe pse e sinjalizuar për 5 minuta, gjyqtari Taullau si rrallë ndonjëherë ndoshta edhe në histori, akordon 7 minuta shtesë vetëm në pjesën e parë, që ndoshta si për koincidencë mbyllet menjëherë pas shënimit të golit të korcarëve.

Ndërkohë në pjesën e dytë Elbasani ka rezistuar e tentuar të gjej golin e barazimit edhe pse prej javësh ka siguruar rënien nga kategori pasi ka vetëm 12 pikë pas 32 javësh.

Megjithatë pas 90 minutave lojë e 11 minutave shtesë në total nga gjyqtari Taullau, Skënderbeu shënon vetëm një gol dhe më pas feston këtë titull kampion edhe pse ka ende një javë për të luajtur.

Në takimet e tjera Flamurtari sërish e ndjen veten të penalizuar nga gjyqtarët dhe këtë herë në Shkodër braktis fushën e lojës në minutat e fundit pasi i akordohet një 11-metërsh që sipas tyre nuk qëndronte.

Kaq mjafton për të shpërthyer polemikat e rrëmuja në Loro Borici, gjyqtari Bardhyl Pashai sipas rregullores i kërkon kapitenit Sakaj të vazhdojnë lojën, por refuzimi i tij e nxjerr me kartonin e kuq lojtarin e Flamurtarit, gjë që ndodh më pas edhe me zv/kapitenin Veliu.

Ndërkohë deri në ato momente rezultati ishte 0-1 për Flamurtarin, gol i shënuar nga Xhafaj.

Me këtë veprim përvec tre pikëve të kësaj ndeshjeje, Flamurtari mund të humbasë dhe tre pikët ë tjera për braktisje të fushës së lojës, gjithsesi për momentin ky takim mbetet me statusin e ndërprerë.

Kjo javë e Superligës ka rezervuar dhe sfida të forta për skuadrat që luftojnë për mbijetesë. Laci ka fundosur akoma më shumë Besën, pasi e ka mundur 3-2, duke i lënë në dorë të një mrekullie kavajsve për t’i shpëtuar rënies nga kategoria.

Ndërkohë që vazhdojnë të luajnë për play-out Teuta, Dinamo, Kastrioti e Shkumbini të cilat kanë të katërta nga 39 pikë.

Top Channel