Ndërtuesit: Zhbllokimi, me ligj të veçantë

04/05/2011 08:00

Pallatet pa hipotekë në Tiranë konsiderohen shqetësimi kryesor i ndërtuesve, pasi kanë bllokuar tregun e shitblerjeve.

Mësohet se janë të paktën 350 pallate, të cilat presin firmën nga zyra e regjistrimit të pronës (hipoteka), ku një pjesë e mirë ka përfunduar së ndërtuari tre vjet më parë. Problemi kryesor i ndërtuesve është kthyer si mjeti i propagandës elektorale, pasi njëra forcë politike premton zgjidhjen e ngërçit brenda këtij viti, kurse pala tjetër jep një tjetër argument.
 
“Zhbllokimi i hipotekave, se kur dhe si, nuk ka lindur si çështje sot në ditët e fushatës. Ky problem nuk zgjidhet me premtime, ose me një të rënë të lapsit, por kërkohet vullnet politik, i të dyja forcave kryesore. Teknikisht, hipoteka për një objekt që ka probleme nuk jepet kaq kollaj. Ato që thuhen janë vetëm vullnete politike dhe asgjë më shumë. Ngërçi zhbllokohet vetëm nëse Parlamenti miraton një ligj të veçantë”, tregon për “Shqip”, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve, Maksi Muçi.
 
Shoqata ka nisur prej dy muajsh negociatat me ministrin e Financave, për gjetjen e formulës që zgjidh problemin. “Hipoteka që nuk regjistron pronën lidhet me dy shkaqe, ose probleme: e para me detyrimet tatimore dhe procedurat tepër burokratike. Regjistrimi nuk bëhet nëse ndërtuesi nuk ka paguar taksat dhe kjo nuk ka lidhje as me amnistinë fiskale”, tregon Muçi.

Ai thotë se ministrisë do t’i propozohen disa lehtësira te procedurat e regjistrimit të pronës në hipotekë. Çështja e dytë penguese ka të bëjë me hapësirën, me objektin që ka tejkaluar kufirin e lejuar. Këtu, thotë Muçi, futet në lojë, agjencia e legalizimeve. “Të dyja këto elemente duhet të ndërthuren me një ligj të veçantë dhe t’i propozohen Parlamentit për miratim. Zgjidhje tjetër nuk ka”, shprehet drejtori ekzekutiv i shoqatës.
Ndërtuesit kanë nisur punën për hartimin e një projekti me disa propozime që do t’i paraqiten shumë shpejt ministrit të Financave, pasi pjesa dërrmuese e ngërçit çalon te taksat.

Muçi thotë se hipoteka nuk duhet të bëhet pengesë vetëm se ndërtuesi nuk ka vërtetuar detyrimet e paguara apo të papaguara. “Ky kriter duhet hequr, sikurse dhe disa detyrime të tjera burokrate. Të jepet hipoteka dhe më tej tatimet të bëjnë punën e tyre”, tregon ai.

Në Tiranë, numërohen rreth 1 mijë apartamente të pahipotekuara dhe mbi 450 shtesa pallatesh, që presin ‘ligjërimin’ e objektit nga zyra e regjistrimit të pronës.

Debati mbi hipotekimin e pallateve ka marrë përmasa të mëdha, pasi kandidati i PD-së, për kryetar bashkie ka premtuar zgjidhjen sa më shpejt të problemit, mundësisht brenda muajit nëntor të këtij viti. Reagimi nga ana e bashkisë, që drejtohet nga socialistët ka qenë i fortë. “Basha gënjen dhe mashtron për hipotekat e pallateve, pasi është vetë ai që në vitin 2006 ndryshoi ligjin për hipotekat”, tha Dhimitri. Nënkryetarja e bashkisë u shpreh se ndryshimi i ligjit i hoqi kompetencat Bashkisë së Tiranës për të pajisur njerëzit me hipoteka dhe një veprim i tillë u bë pikërisht në kohën kur ministër i Punëve Publike ishte vetë Basha.

Ndërtimi është sektori më i prekur nga kriza ekonomike, me shumë subjekte që nuk punojnë me rendimentin e duhur dhe me rreth 8 mijë apartamente të mbetura stok pa u shitur. Ndërtuesit kanë probleme edhe me detyrimet e papaguara të qeverisë për punët publike që kanë realizuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA