Gjika akuza të forta kundër FSHF-së

04/05/2011 00:00

Në studion e Top Story, Shqipëria Vendos 2011, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika akuzoi Federatën Shqiptare të Futbollit se është bërë palë me politikën duke vjedhur futbollin.

Gjika, pasi sqaroi pozicionin e tij në klubin e Flamurtarit dhe duke iu referuar ngjarjeve të ndodhura javët e fundit të Superligës, veçanërisht ngjarjeve në ndeshjen Laçi-Flamurtari, tha se federata është politizuar dhe akuzoi Ministrin e Financave, Ridvan Bode se po vjedh kampionatin me shpresën se do të fitojë Bashkinë e Korçës.

“Nuk jam president i Flamurtarit, Flamurtari nuk ka president. E shoh si një ndërmarrje e cila financohet nga bashkia dhe donatorët. Sa për kampionatin kjo federatë është bërë palë me këtë palo-politikë. Por u them se janë ngatërruar me qytetin e gabuar dhe njeriun e gabuar”, tha zoti Gjika.

Më tej krybashkiaku vlonjat paralajmëroi për vijimin e protestave të tifozerisë së Flamurtarit edhe në të ardhmen.

“Protesta e ditës së sotme para federatës nuk ishte gjë. Do të ketë të tjera protesta. Po vjedhin futbollin, e vetmja gjë e që kishte mbetur e papolitizuar në Shqipëri, tashmë është politizuar”, tha Gjika.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA