Barcelona-Real, mediat: Fitoi më i miri

04/05/2011 15:35

Në finalen e Uemblit do të marrë pjesë skuadra më e mirë spanjolle. Kështu e kanë vlerësuar mediat angleze kualifikimin e katalanasve për në finalen e Champions League.

Edhe pse kanë bërë një futboll ndryshe nga ai i “Santiago Bernabeut”, sipas anglezëve, madrilenët kanë qenë sërish më inferiorë se Barcelona e Pep Guardiolës.

Këtë ide, “Daily Telegraph” e bazon në statistikat e ndeshjes së kthimit: “Fitoi skuadra më e mirë, ajo që mbajti topin 64% gjatë ndeshjes dhe kishte 631 pasime të sakta, kundrejt 261 të Realit”.

Gazeta tjetër angleze, “Times” në shkrimin e saj ka theksuar se Reali bëri një lojë shumë të mirë, por fitorja sportive dhe morale ishte e gjitha për Barcelonën e cila rikthehet në një stadium të rëndësishëm për historinë e klubit katalanas.

“Ishte një mision i pamundur”, është titulli kryesor i spanjolles “Marca”, e cila në shkrimin e saj theksonte gabimet e gjytarit të ndeshjes De Bleeckere.

Të njëjtën linjë ka mbajtur edhe spanjollja tjetër “AS”: “De Bleeckere konfirmoi dyshimet para ndeshjes për gjykimin e tij. Edhe pas ndeshjes së kthimit pjestarët e skuadrës së Realit kanë vazhduar idenë e tyre për vjedhjen e ndeshjes, por këtë herë me gjeste”.

Top Channel