Top Story, beteja për Vlorën

03/05/2011 22:30

Pakti me qytetarët, i nënshkruar ditën e martë nga kandidatët e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 8 Majit e që bazohet në tre pika, punësim, familje dhe të ardhme, është cilësuar nga kryetari i Bashkisë së Vlorës dhe kandidati i PS-së për një tjetër mandat në qytetin bregdetar, Shpëtim Gjika, si një detyrim që kandidatët socialistë kanë ndaj qytetarëve.

I ftuar në Top Story, Shqipëria Vendos 2011, kur kanë mbetur 4 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve, zoti Gjika tha se Partia Socialiste nuk i sheh këto zgjedhje thjesht si politike, por edhe si administrative.

Gjika, i ardhur në krye të Bashkisë së Vlorës në vitin 2003 shpalosi strategjinë e tij për zhvillimin e qytetit bregdetar bazuar në prioritetin, që është turizmi.

“Kam ndjekur një strategji drejtimi për Vlorën. Kam dashur atë që kam përfytyruar në qytetin tim ta materializoj. Në mandatin e parë cuam imazhin e Vlorës të dëmtuar pas ’97,  atje ku duhej, në mandatin e dytë kemi ndjekur një strategji zhvillimi për turizmin. Kemi synuar një zhvillim të qendrueshëm duke nisur nga rrjeti inxhinierik nëntokësor. Vlora sot ka të mbyllur në masën 80-90 përqind rrjetin e ujërave të zeza, ujësjellësit me sistem të ri, sistemin 20 kw të energjisë elektrike”, tha Gjika.

Akuzave të rivalit demokrat, Ardian Kollozi, hedhur gjatë një takimi me elektoratin vlonjat, për betonizim të qytetit, Shpëtim Gjika iu përgjigj duke thënë se kjo është një strategji elektorale e përdorur nga kandidati Kollozi.

Zoti Gjika shtoi se Vlora është një qytet i izoluar nga të gjitha anët. I vetmi qytet i madh palidhur me pjesën tjetër të vendit me autostradë, që sipas Gjikës është një hakmarrje e Berishës për rezultatin e zgjedhjeve të 2009-s.

“Kandidati ka kohë që përdor këtë strategji, mbjell vrer dhe sheh me syze të errta zhvillimin e Vlorës. Vlora është rrethuar nga të gjitha anët, s’lidhet me autostradë me pjesën tjetër të vendit, nga ajri e izoluar për shkak të ndërtimit të petroliferës dhe TEC-it. Nga deti me moratoriumin e skafeve”, deklaroi Gjika.

Më tej kandidati socialist i mbështetur nga “Aleanca për të Ardhmen” kritikoi rivalin e tij, Ardian Kollozi për qendrimin e mbajtur prej tij, gjatë kohës kur ishte deputet, për ndërtimin e TEC-it dhe të moratoriumit të skafeve, dy probleme këto, që sipas Gjikës, po dëmtojnë rëndë Vlorën si qendër turistike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA