Berisha: Vlora një qytet europian

03/05/2011 23:30

Vlora ishte stacioni elektoral i kryeministrit Sali Berisha 3 ditë para mbylljes zyrtare të fushatës dhe në Sheshin e Flamurit ai kërkoi votën e vlonjatëve për Ardian Kollozin për të ndryshuar qytetin kryesor të jugut të vendit.

Ardian Kollozi hoqi dorë nga mandati i deputetit për të garuar në një nga bastionet më të forta të socialistëve. Dhe në këtë sfidë të vështirë  kryeministri Berisha nuk ka kursyer asgjë në mbështetjen e kandidatit të koalicionit Aleanca për Qytetarin dhe projektin e tij për zhvillimin e Vlorës qendër rajonale të biznesit dhe Vlorës turistike.

“Më 8 Maj, qytetarët e Vlorës zgjedhin të nisin betejën e madhe për shndërrimin në realitet të Vlorës kantier të madh punësimi për vlonjatët dhe shqiptarët. Ju jap fjalën se me Ardian Kollozin do të ndërtojmë së bashku me ju, Vlorën e idealeve të mëdha të shqiptarëve, kryeyqytetin shpirtëror, historik të kombit”, tha kryeministri Berisha.

Kryeminitri Berisha tha se në këto 5 vjet shqiptarët, së bashku, kanë arritur realizimin e disa ëndrrave shekullore, anëtarësimin në NATO dhe lëvizjen e lirë pa viza në Europë.

Por, për 4 vitet e ardhshme, kryeministri Berisha premton edhe më shumë për shqiptarët dhe ekonominë e tyre.

“Ne mblidhemi sot në këtë shesh krenarë me njëri- tjetrin, krenarë, por asnjëherë të kënaqur, sepse jemi të bindur se shumë më tepër do të bëjmë 4 vitet që vijnë. Krenarë, por jo të kënaqur derisa ne të shndërrojmë në realitet ëndrrën tonë, Vlora qytet modern i zhvilluar, Shqipëria vend modern i zhvilluar”, deklaroi kryeministri.

Kryeministri Berisha u bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen rreth koalicionit Aleanca për Qytetarin, dhe pavarësisht bindjeve të tyre politike, të ndërtojnë së bashku të ardhmen europiane të vendit.

“Për cdo shqiptar, 8 maji nuk është një verdikt për të shkuarën, nuk është një ndëshkim për disfatën. Është një zgjedhje, një zgjedhje për të ardhmen më të bukur, më të merituar. Arma jonë sekrete është besimi tek ju, tek forca juaj, energjia juaj, shpirti juaj, mendja juaj. Për ne ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat. Zoti e bekoftë Vlorën! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe flamurin shqiptar”, u shpreh Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA