Obama: Bota, pa Bin Laden më e mirë

02/05/2011 19:30

Presidenti amerikan, Barack Obama ka përshëndetur në një fjalim të dytë vdekjen e liderit të Al Kaedës Osama bin Laden.

“Sot është një ditë e mirë për Amerikën. Bota tani është më e sigurtë dhe një vend më i mirë. Sot ne u kujtuam se si komb nuk ka asgjë që nuk mund të bëjmë”, ka deklaruar Obama.

Bin Laden u vra gjatë një sulmi të forcave speciale amerikane, Nay Seal, në rezidencën e tij në qytetin pakistanez të Abotabadit, fare pranë akademisë ushtarake të vendit.

Autoritetet amerikane thanë se kryeterroristi u qëllua me plumb në kokë pasi bëri rezistencë. Trupi i tij u hodh në det pas një ceremonie që u zhvillua në aeroplanmbajtësen amerikane “USS Carl Vinson”.

“Trupi i vdekur u la dhe u vendos në një carcaf të bardhë. Më pas u vendos në një cantë të rëndë dhe pas një fjalimi fetar të përkthyer në gjuhën arabe u vendos në një varkë që u fundos në ujë”, ka deklaruar një zyrtar amerikan.

Ndërkohë, fotografi të trupit të pajetë të ish-kreut të Al Kaedës, që tani ra nga froni i personit më të kërkuar në botë, nuk janë publikuar ende.

Top Channel