Kasetat, Kolegji rrëzon KQZ

02/05/2011 19:55

Kolegji Zgjedhor mori në shqyrtim vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që kishte vendosur disa rregulla shtesë për pasqyrimin e fushatës elektorale. (UPDATE)

Me propozimin e pjesshëm të katër anëtarëve të Bordit të monitorimit, KQZ kishte vendosur t’u njihte partive të drejtën që ta përcaktonin ato kohën mes kandidatëve të tyre. Radio-televizionet duhet vetëm ta zbatonin këtë ndarje kohore.

Po ashtu, vendimi i KQZ-së i detyronte televizionet të pranonin nga partitë regjistrimet e tyre të aktiviteteve të fushatës, në rast se televizionet nuk kishin mundësi logjistike për t’i mbuluar vetë ato aktivitete.

Por KQZ nuk përcaktonte se kush do të ndante rastet e pamundësisë nga rastet kur vetë kandidatët nuk i njoftonin televizionet për aktivitetet e tyre. Kundër vendimit të KQZ u shprehën menjëherë tre anëtarët në pakicë të Bordit të monitorimit.

Kjo cështje, e quajtur shkurt “cështja e kasetave”, ngjalli një debat të gjerë publik mbi të drejtën e subjekteve politike për pasqyrim të barabartë dhe të drejtës së televizioneve për ta pasqyruar ata fushatën, me burimet e tyre nga terreni.

Ky debat u pasqyrua edhe në Kolegj, ku trupa e gjyqtarëve i pyeti gjerësisht përfaqësuesit e KQZ-së, por edhe ata të Partisë Demokratike, si palë e interesuar, mbi arsyet dhe pasojat e këtij vendimi.

Një nga pyetjet kishte të bënte me të drejtën që i njeh qytetarëve neni 10 i Konventës europiane të të drejtave të njeriut, për të marrë dhe komunikuar informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike?

Pyetje së cilës avokati i Partisë Demokratike iu përgjigj se, në vendimin e KQZ nuk shihte asnjë ndërhyrje të autoriteteve publike.

Pala ankimuese, Partia Socialiste, argumentoi se vendimi i KQZ-së është marrë në kundërshtim me procedurat, sepse nuk është në kompetencat e KQZ-së të modifikojë Kodin Zgjedhor.

Po ashtu, vendimi kishte shtrirje në tërë territorin e republikës, ndaj kemi të bëjmë me një akt normativ, që sipas kodit duhej marrë jo me katër por me pesë vota pro. Në fund, Kolegji vendosi pranimin e padisë, duke e rrëzuar vendimin e KQZ-së si të pabazuar në ligj dhe prova.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA