Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama zgjodhi 1 Majin, ditën ndërkombëtare të punëtorëve për të shpalosur projektin ekonomik të Bashkisë së Tiranës.
Në këtë projekt i kushtohet një vend i vecantë politikave për të luftuar papunësinë, politika këto, që sic tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i mungojnë qeverisjes qendrore që ka lënë 1 milion të papunë në të gjithë vendin.
“Mungojnë politikat për të luftuar papunësinë, ashtu sikundër luftohet në të vërtetë”, deklaroi Rama.
Rama kritikoi edhe premtimet për uljen e kontributëve, premtime të cilat sic tha ai bëhen me qëllim e vetëm për t’u marrë qytetarëve votën.
“Politikanët tradicionalë bëjnë premtime të papërmbajtshme për të ulur e ulur kontributet. Sot të gjithë njerëzit e zakonshëm, ata që jetojnë me një rrogë, mësues, infermierë, policë e nënpunës në të gjithë sektorët shtetërorë paguajnë shumë më tepër taksa se sa paguanin 6 vjet më parë kur Saliu u premtoi horizontin e parajsës ekonomike e sot po i con përditë e më shpejt drejt një ferri ekonomik, dhe jo vetëm paguajnë shumë më tepër detyrime në formë kontributesh financiare për shtetin, por blejnë shumë me pak se sa 6 vite më parë”, tha Rama.
Më tej lideri socialist tha se po shkallmohen pasuritë mijëra vjecare kulturore në të gjithë vendin dhe se mungojnë politikat për mbrojtjen e tyre.
Top Channel