Wikileaks publikon dokumentet për tetë të dënuarit që erdhën në Shqipëri nga burgu i Guantanamos.
Pesë prej tyre ishin ujgurë dhe mbërritën në Shqipëri në vitin 2006, ndërsa tre të tjerë ishin nga Egjipti, Libia dhe Tunizia dhe erdhën në vendin tonë në shkurt të 2010.
Të gjithë ishin të rrezikshëm, por i një profili më të lartë, ishte Sharif Fatham Al Mishad, i lindur në Egjipt më 14 Dhjetor 1976. Në dokumentin e publikuar nga Wikileask, që mban datën 15 shtator 2008, shkruhet se ai kishte qenë një anëtar i organizatës terroriste “Al Kaeda” që kishte luftuar në Brigadën 55 të Osama Bin Ladenit, në vijën e parë të frontit në Afganistan si dhe kundër Shteteve te Bashkuara dhe trupave te Koalicionit në Tora Bora.
Abdul Rauf Omar Mohamed, i lindur më 1 Janar të 1965 në Tripoli të Libisë. Dokumenti i 24 Shtatorit 2004 thotë se ai ishte anëtar i Grupit Islamik Libian dhe Al Kaedës me shumë lidhje brenda Afganistanit. Ai ishte trajnuar në kampe terroriste dhe kishte marrë pjesë në veprime ushtarake në Afganistan.
Dokumenti i tretë që mban datën 5 Prill 2007, i referohet Saif Bin Abdullah, i lindur në Tunizi më 24 Qershor 1973. Ishte një anëtar i celulës tuniziane të Al Kaedës dhe ka pranuar se udhëtoi në Afganistan në vitin 2001. Ishte i stërvitur ushtarakisht dhe kishte marrë pjesë në luftime kundër trupave amerikane dhe atyre të koalicionit ndërsa ishte në vijën e parë të frontit, në Bagram të Afganistanit.
Në vitin 2006, pesë ujgurë mbërritën në Tiranë dhe u vendosën në qendrën e azilkërkuesve. Asokohe, ministria e Jashtme Kineze tha se ata ishin terroristë të Lëvizjes së Turkistanit Lindor, të lidhur me talebanët dhe Al Kaedën.
Duke kërkuar riatdhesimin e tyre, Pekini akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë se po vepronin kundër ligjit ndërkombëtar dhe rregulloreve të OKB-së. Njëri prej tyre është vendosur në Suedi pasi kërkoi azil.
Top Channel