Skënderbeu dhe Flamurtari ruajnë diferencat

30/04/2011 21:25

Skënderbeu u afrohet gjithnjë e më shumë titullit kampion në Kategorinë Superiore.

Skuadra korçare kaloi edhe pengesën Vllaznia me fitoren 3-0 për të ruajtur diferencën prej 4 pikësh me Flamurtarin që mundi Tiranën 2-1.

Në Korcë, skuadra e Skënderbeut e kontrolloi lojën, ndërkohë që Vllaznia u duk e pafuqishme për të shqetësuar të besuarit e Shpëtim Duros. Korçarët gjetën avantazhin në minutën e 29 me anë të Gjergji Muzakës.

Në fundin e pjesës së parë, Skënderbeu dyfishoi rezultatin më anë të argjentinasit Rafael Soza, ndërkohë që në fillimin e pjesës së dytë Bratiç, vulosi përfundimtare në 3-0 për Skënderbeun.

Në Vlorë, Flamurtari fitoi me Tiranën 2-1 dhe shpresat e tij për të fituar titullin janë vetëm matematikore. Kuqezinjtë e panë shumë shpejt vetën në avantazh pas golit të Sebino Plakut që në minutën e parë të ndeshjes. Pas 14 minutash Daniel Xhafaj dyfishoi rezultatin duke e bërë më të lehtë fitoren.

Tirana në pjesën e dytë shkurtoi diferencën me Pejiç, por pa mundur dot të bëjë asgjë më shumë.

Në ndeshjet e tjera Besa mundi Dinamon me rezultatin 1-0 duke u ngjitur në kuotën e 36 pikëve që e largon disi nga zona e ftohtë. Nga ana e saj Dinamo edhe pas kësaj humbje mbetet në vendin e 7 me 38 pikë e ndjekur nga Teuta.

Edhe skuadra durrsake është në kuotën e 38 pikëve pas fitores 3-1 të arritur me Shkumbinin.

Top Channel