Gaddafi fton NATO-n në bisedime

30/04/2011 09:30

Lideri i Libisë, Muammar Gaddafi ka deklaruar se askush nuk mund ta detyrojë atë të braktisë vendin e tij.

Në një fjalim në televizionin publik, Gaddafi ka bërë gjithashtu thirrje për bisedime me NATO-n, që ka kryer një seri sulmesh ajrore në territorin libik.

Televizioni shtetëror ka shtuar më vonë se trupat e NATO-s sulmuan kolonelin teksa ai ishte duke mbajtur fjalimin e tij.

Ndërkohë, qeveria e Tripolit ka deklaruar se nuk do të lejojë më askënd të fusë në vend ndihma përmes detit, kryesisht në portin e qytetit të Misratës.

Zëdhënësi i qeverisë, Moussa Ibrahim ka bërë gjithashtu të ditur se rebelëve në qytet do t’u jepen katër ditë kohë për të ulur armët, në këmbim të një amnistie.

“Nëse do të vazhdojnë të luftojnë, ata do të përballen me një zjarr total”, ka thënë Ibrahim, pasi NATO deklaroi se trupat e kolonelit po vendosin bomba në Misrata.

Top Channel