Rrokadë krerësh në sigurinë e SHBA-së

29/04/2011 03:25

Gjenerali David Petraeus do të jetë Drejtori i Përgjithshëm i ri i CIA-s, ndërkohë që shefi aktual, Leon Panetta pritet të kalojë në krye të Pentagonit pas largimit në fund të muajit qershor të Robert Gates nga Departamenti i Mbrojtjes.

Ndërkohë vendi i lënë bosh nga Petraeus do të plotësohet nga Lt. Gen. John Allen.

Ky është skenari i përgatitur nga presidenti amerikan, Barack Obama, i cili gjithësesi që të jetësohet duhet të marrë edhe dritën jeshile nga Senati amerikan.

Obama tha se pas karrierës 40 vjecare nën uniformë, gjenerali Petraeus do të tërhiqet për të marrë detyrën e re si kreu i CIA-s në muajin shtator, afat ky që varet edhe nga vendimi i Senatit.

Vendimi për të kaluar Petraeus në krye të inteligjencës amerikane vjen në kohën kur ende nuk është mbushur një vit nga koha kur ai mori detyrën si komandant i forcave të NATO-s në Afganistan duke zëvendësuar gjeneralin Stanley McChrystal.

Obama sqaroi se të gjitha ndryshimet kushtëzohen nga tërheqja e Robert Gates, i cili mban postin e Sekretarit të Mbrojtes që nga viti 2006, kohë kur u emërua nga presidenti Bush.

Top Channel