Radio është drita jonë

29/04/2011 18:50

Pothuajse e gjithë Shqipëria është e mbushur me radio të vogla lokale.

Në Elbasan ndodhet një e tillë dhe deri këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Nuk është i çuditshëm as fakti që në këtë radio janë dy spikere që quhen Elida dhe Bukurie.

Sikur të mos ishte për faktin që këto dy vajza të reja që në lindje kanë qenë të verbëra, por ndonjëherë pasioni është më i madh se mundësia racionale.

“Gazetaria radiofonike ka qenë një ëndërr për mua. Kur isha e vogël dëgjoja emisionet dhe mendoja se kisha aftësi që dhe unë të isha pjesë e radios”, shprehet Bukuria.

Një nga ato ëndrra që edhe në sirtare e kanë të vështirë të gjejnë vend e jo më të bëhen realitet. Por për Eildën dhe Bukurien asgjë nuk ishte e pamundur, as lloji i emisionit që kjo e fundit kishte menduar.

“Ideja ime ishte që të realizoja një emison përsa i përket personave me aftësi të kufizuara dhe arsimimit, integrimit, punësimit dhe shqetësimeve që ata kanë”, tregon Bukuria.

Në një shoqëri si Shqipëria, ku njerëzit paragjykohen edhe për ngjyrën e syve e jo më kur drita e syve mungon tërësisht, Elida është një vajzë simpatike por që zor se e kanë parë me atë sy duke tejkaluar paragjykimin për handikapin e saj.

“Ka pasur raste kur jam paragjykuar, megjithatë jam përpjekur që me vullnet t’ia dal mbanë dhe t’i arrij synimet e mia”, thotë Elida.

Elida dhe Bukuria nuk kanë shumë kohë që janë ulur për herë të parë para mikrofonit të radios dhe gëzimi është i njëjtë si ditën e parë.

“Të them të drejtën unë nuk kam pasur fare emocione. Ka qenë një kënaqësi e madhe për mua”, kujton Bukuria.

Por dy vajzat nga Elbasani nuk janë dorëzuar kurrë para vështirësive me të cilat lindën. Elida është studente në vitin e parë të fakultetit ndërsa Bukuria e ka kryer tashmë atë mes gjithë vështirësive të mundshme.

“Kam mbaruar për Gjuhë-Letërsi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Nuk ka qenë edhe aq e lehtë përshtatja, por unë ia kam arritur”, thekson Bukuria.

Një emision radiofonik shumë i veçantë që bashkon përgjegjësinë që vajzat kanë ndaj të gjithë individëve me pamundësi fizike me ëndrrën e tyre të përjetshme të punës në radio. Por kush tha që ëndrrat kanë të mbaruar ndonjëherë.

“Më pëlqen të jem mësuese, por kam ëndërr edhe psikologjinë. Gjithashtu dua të realizoj edhe botimin e librit të dytë”, thotë Bukuria duke shpalosur ëndrrat e saj.

Ky emision, në realitetin e ngushtë të Elbasanit, ka ndryshuar rrënjësisht jetët e Elidës dhe Bukuries, ato flasin me shumë kujdes edhe në biseda private, impostojnë zërin dhe kujdesen për artikulimin.
 
“Unë shpresoj që emisioni të sensibilizojë shoqërinë”, deklaron Elida.

Kur bëhet fjalë për radio apo për çdo lloj mediumi sigurisht që secili ka preferencat, idhujt që vlejnë dhe për dy të rejat e lindura të verbëra, por të apasionuara pas radios si askush tjetër.

“Më pëlqen Top Albania Radio. Emisionet e kësaj radioje janë shumë të bukura. Arbana dhe Adi Krasta janë idhujt e mi”, tregon Bukuria.

Dy vajzat janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra por pika e takimit, përveç fatkeqësisë, është edhe preference.

“Top Albanian e kam ndjekur shumë. Radio Mania ka qenë emisioni im i preferuar. Arbana për mua është spikerja më e talentuar”, shton Elida.
 
Një analizë mbi cilësinë e moderimit të tyre do të ishte e pavend, por shembulli që na jep Elida me Bukurien mbi vullnetin nuk ka të krahasuar. Mbase dikush do t’i paragjykojë sërish, por respektin e meritojnë plotësisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA