Carter: Penianit po i shkelen të drejtat

28/04/2011 16:55

Ish-presidenti amerikan Jimmy Carter ka akuzuar SHBA dhe Korenë e Jugut se kanë shkelur të drejtat e njeriut në Korenë e Veriut me ndalimin e ndihmave ushqimore.

Komentet e zotit Carter erdhën pas një vizite private treditore që ai zhvilloi në Penian.

Ai ka deklaruar gjithashtu se Koreja e Veriut është e gatshme të mbajë bisedime të pakushtëzuara me Jugun, mesazh ky që i është përcjellë direkt nga lideri Kim Jong il.

Jugu kërkon nga Veriu që të kërkojë të falur për sulmin vjdekjeprurës të ndodhur vitin e kaluar para se të fillojnë bisedimet.

Seuli fajëson Penianin për mbytjen e anijes luftarake në mars të vitit 2010, ku humbën jetën 46 persona, akuzë të cilën Peniani e mohon.

Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se vizita e zotit Carter ka qenë tërësisht private, ndërsa Koreja e Jugut se nuk priste gjë nga takimet e ish-liderit amerikan.

Top Channel