I pranishëm në studion e Top Story, Shqipëria Vendos 2011, kryetari aktual dhe kandidati i Partisë Socialiste, i mbështetur nga koalicioni i majtë “Aleanca për të Ardhmen në qytetin e Korçës, Niko Peleshi nisur nga miqësia disavjecare më rivalin Andrea Mano tha se më 8 Maj duhet të marrë fund fryma e armiqësimit për shkak të politikës.
“Të zhbësh kaq kollaj 30 vite miqësi të ngushtë e të bësh si një njeri tjetër?! Kjo politikë po gllabëron dita-ditës shokë të ngushtë, miq. Kjo nuk është luftë mes meje dhe kandidatit përballë, sot kemi përballë një frymë që duhet të marrë fund më 8 Maj. Më 8 Maj jam i bindur që do të fitoj”, tha zoti Peleshi.
Ndërkohë, Top Story solli një insert të zotit Mano gjatë një mitingu të mbajtur në Korçë ku ai shpalos programin dhe prioritetet e tij në rast të zgjedhjes kryetar bashkie.
Kandidati Mano premton vëmëndje ndaj zonave periferike të qytetit, shndërrimin e Korçës në një qytet policentrik, ambiente për të pastrehët si dhe hartimin e planit rregullues të qytetit.
“Ne do të riasfaltojmë rrugët dhe do të ndërtojmë fushën e plehrave larg qytetit si prioritet për shëndetin e banorëve. Rikonstruksion teatrit, infrastrukturës sportive. Brenda mandatit do ndërtojmë 500 apartamente të reja për të pastrehët. Pazari do të kthehet në monument të UNESCO-s me mbështetje nga qeveria për rikonstruksionin e tij. Me mbështetjen e kryeministrit Berisha do të ndërtojmë kampus universitar në qytet”, tha Andrea Mano.
Por kryetari aktual dhe kandidati socialist, Niko Peleshi i ciëlsoi premtimet e rivalit Mano si komike dhe që bëhen për efekt elektoral. Sipas tij, qytetarët e Korçës duhet të dinë mundësitë e investimeve dhe të manaxhimit. Peleshi tha se plani rregullues i qytetit ka përfunduar dhe tashmë ndodhet në zyrat e qeverisë në pritje për t’u miratuar edhe nga KRT-ja e Korçës.
“Pjesa komike e këtyre premtimeve është se kandidati është duke premtuar gjithcka për të gjithë me bindjen se do të dalë fitues. Plani rregullues i qytetit ka mbaruar, është në zyrat e qeverisë shqiptare për të qarkulluar në të gjitha ministritë, nuk është projekt dosido, por është një projekt bashkëpunimi i Bankës Botërore prej 1 milion euro. Mano mbase premton që do të hedhë poshtë këtë plan e do të nisë nga zero. Mbetjet kanë një projekt pioner, me bankën gjermane për ndërtimin e një landfilli pranë Maliqit, do t’i shërbejë komunave dhe bashkive, pra është projekt rajonal dhe brenda vitit shpresojmë në përfundimin e tij”, tha Peleshi.
Top Story risolli një tjetër premtim të zotit Mano, atë për rikthimin e traditës në qytetin e Korçës dhe rivitalizimin e jetës në qytet nëpërmjet artit dhe kulturës.
Por kryetari aktual, Niko Peleshi tha se bashkia ka punuar për rikthimin e vlerës kulturore të Korçës dhe se akuzat e ardhura nga rivali për betonizimin e qendrës së qytetit janë të pabaza, pasi sic tha zoti Peleshi, Bashkia e Korçës ka 4 vjet që nuk lëshon leje ndërtimi në qendër të qytetit. Sipas tij, pallatet në qendër të qytetit, që kanë prishur lulishten, janë ndërtuar me leje të dhëna para mandatit të tij.
“Bashkia ka ndërmarrë një proces të hartimit të masterplanit. Iniciativa jonë për t’i dhënë fund ndërtimeve pa plan. S’kemi dhënë leje ndërtimi në qendër dhe të akuzosh bashkinë për betonizim kur për 4 vite me radhë nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi në qendër më duket absurde”, tha Peleshi.
Top Channel