“Champions”, Manchester United sheh finalen

26/04/2011 22:40

Kanë mjaftuar dy minuta për Manchester United për të marrë fitoren në Arena Auf Schalke ndaj vendasve të Schalke 04.

Gjysmëfinalja e parë e Ligës së Kampioneve, ashtu sic pritej, nxorri fitues skuadrën e Sir Alex Ferguson e cila që në minutat e para të takimit tregoi se kishte vajtur në Gjermani me synim vetëm fitoren.

Por pritjet e portierit Neuer, mjaft i lakuar në javët e fundit në merkaton e futbollit europian, ndaluan lojtarët e United për gjetjen e golit të avantazhit. Ndërkohë, vendasit dukeshin të pafuqishëm përballë skuadrës angleze duke mos rrezikuar asnjëherë seriozisht Van Der Sar në 45 minutat e para.

Fraksioni i dytë i takimit nisi aty ku përfundoi pjesa e parë me Manchester United në sulm. Por do të duhej minuta e 66 e takimit kur Giggs do të kalonte barrierën Neuer dhe vetëm dy minuta më vonë Rooney dyfishon rezultatin duke vulosur gjithcka pasi në minutat në vazhdim, Schalke mbetet e pafuqishme për t’iu kundërpërgjigjur skuadrës angleze. Ndeshja përfundon me fitoren 0-2 për Manchester United, një rezultat ky që thuajse çon në finale anglezët pasi në ndeshjen e kthimit Raul & Co do t’i duhet një mrekulli për të parë veten në finale të Ligës së Kampioneve.

Liga e Kampionëve rikthehet ditën e mërkurë me superndeshjen Real Madrid-Barcelona në Bernabeo.

Top Channel