Skënderbeu i largohet Flamurtarit

25/04/2011 20:00

Tre ndeshje para fundit të Superligës, Skenderbeu është shumë pranë shpalljes si kampione të Shqipërisë.

Fitorja 0-1 e korçarëve përballë Tiranës dhe barazimi i Flamurtarit 1-1 me Laçin e ka çuar në 4 pikë diferencën mes tyre, ndërkohë që dy ndeshjet e ardhshme korçarët do t’i luajnë në fushën e tyre me Vllazninë dhe Elbasanin, dy skuadra këto që tashmë i kanë përmbushur objektivat e tyre.

Në “Qemal Stafa”, skuadra e Shpëtim Duros shënoi golin e fitores në pjesën e dytë me një 11 metërsh të dyshimtë të shoqëruar dhe me protestat e tifozëve bardheblu. Kapiteni Shkëmbi ekzekutoi saktësisht 11 metërshin duke i dhënë fitoren Skënderbeut që tashmë e sheh veten në kuotën e 67 pikëve. Përveç 11 metërshit në favor të Skënderbeut, situata në fushën e lojës u acarua edhe disa herë të tjera, kjo pasi sipas bardhebluve vendimet e gjyqtarit Hoxha ishin në diafavorin e tyre.

1-1 përfundoi ndeshja maratonë në Laç mes vendasve dhe Flamurtarit, sfidë që nuk u luajt për më shumë se 40 minuta pas dëmtimit të portierit vlonjat Moçka pas hedhjes së sendeve të forta në fushë nga tifozët laçian.

Laçianët e nisën shumë mirë ndeshjen, pasi 28 sekonda nga starti ata kaluan në avantazh me Hysën. Përpjekjet e vlonjatëve për të barazuar u shpërblyen vetëm në pjesën e dytë, me golin e Ahmataj. Tashmë Flamurtari i Maganit shpreson në një mrekulli për përmbysjen e diferencës prej 4 pikësh me Skënderbeun e vendit të parë. Kundërshtarët e ardhshem të vlonjatëve janë Tirana, Vllaznia dhe në javën e fundit Skënderbeu.

Top Channel