Mbledhja e Bordit të Monitorimit të Medias u zhvillua në ambientet e
Këshillit Kombëtar të Radio-Televizionit, një godinë që ndodhet në një
zonë me dendësi të lartë të selive të partive politike, pranë bashkisë
së Tiranës apo zyrave të kandidatëve për këtë bashki.
Në mbledhje mori pjesë edhe analisti për mediat i vëzhguesve të ODIHR-it Giuzeppe Milazzo. Pas takimit ai nuk pranoi të bëjë asnjë koment. Mësohet se po kaq i rezervuar ka qenë edhe gjatë mbledhjes, ku vetëm ka mbajtur shënim qëndrimin e bordit.
Katër anëtarët në shumicë, prej nga erdhi propozimi për vendimin e KQZ-së, argumentuan se televizionet nuk kanë pse i refuzojnë kasetat përderisa i kanë pranuar në zgjedhjet e vitit 2009. Kurse balancimi i kohës mes kandidatëve është një mangësi e kodit, që ata u përpoqën ta rregullojnë me propozimet e tyre. Këto argumenta janë kundërshtuar nga tre anëtarët në pakicë, të cilët kanë argumentuar se nuk është kompetencë e bordit të monitorimit të ndryshojë kodin zgjedhor. Por propozimet e bordit mund t’i shërbejnë një reforme të ardhshme zgjedhore.
Sa i takon detyrimit për marrjen e kasetave, tre anëtarët e bordit kanë theksuar me forcë se kjo bie ndesh me parimet më elementare të profesionit të gazetarit. Ata i vunë në dispozicion përfaqësuesit të ODIHR-it edhe një kopje të letrës që drejtori i informacionit të Top Channel i ka dërguar Bordit të Monitorimit për këtë cështje.
Pritet që cështja të përfshihet në raportet e ardhshme të vëzhguesve, madje kjo është kërkuar edhe prej dy shoqatave të profesionit. Paralelisht me mbledhjen e Bordit, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe Lidhja e Gazetarëve nuk i kursyen fjalët për të denoncuar vendimin e KQZ-së.
“Unioni i Gazetareve dhe Lidhja e Gazetarëve ngre zërin duke kërkuar njekohesisht nga autoritetet qe kane cilesine e monituresve apo vezhguesve te procesit zgjedhor, të reagojnë ndaj këtij vendimi të pjesshëm sepse një praktike e tille ul integritetin e reporterit në terren, zhvelftyeson raportin ne teresi nga gazetaret profesioniste dhe krijon një mundësi për të manipuluar”, tha drejtuesi Aleksander Cipa.
Zoti Cipa tha se pas kësaj konference do t’u kërkonte një takim vëzhguesve të ODIHR-it. Shoqatat kërkuan një solidarizim mes redaksive të lajmeve të televizoneve dhe drejtuesve të tyre.
Top Channel