Superliga, paqe në Pogradec

24/04/2011 20:30

Janë luajtur sot dy ndeshjet e para të javës së 30-të të Kategorisë Superiore.

Shkumbini dhe Besa ndanë nga një pikë në ndeshjen e luajtur në Pogradec, pas dënimit të fushës së Peqinit.

Gjithçka ka ndodhur në pjesën e dytë pasi peqinasit shënojnë dy herë me Grboviçt dhe Mustafajn, duke fiksuar rezultatin në 2-0 dhe duke lënë të kuptohet se Shkumbini po i drejtohej suksesit.

Por nuk ndodh kështu, në pak minuta Besa shkurton diferencat me Sefën dhe më pas barazon gjithçka me një 11 metërsh të ekzekutuar nga Nora. Pas golit, duket se përfundon gjithçka dhe nuk ndodh asgjë për t’u shënuar.

Shkumbini rimerr vendin e 7-të, ndërsa Besa barazohet me pikë me Kastriotin.

Në Tiranë, Bylisi befasoi Dinamon, ku kaloi në avantazh në minutën e 65-të me Abazajn. Blutë vuajtën shumë për të barazuar rezultatin në minutën e 89-të me Vilën, i cili shpëton kryeqytetasit nga një turpërim i vërtetë edhe pse me një gol të dyshimtë për ndërhyrje të parregullt të mesfushorit dinamovit ndaj portierit të Bylisit.

Në fund, të dyja skuadrat marrin nga një pikë me Bylisin, që del më i fituar, ndërsa Dinamo mbetet pranë zonës së ftohtë.

Të hënën do të luhen të katër takimet e tjera të javës, ku spikasin Tirana-Skënderbeu dhe Laçi- Flamurtari. Korçarët do të vihen para provës së vështirë për të mbrojtur kreun.

Top Channel