Guardiola thumbon Murinjon

24/04/2011 18:50

Tre ditë nga “klasikja” e tretë, trajneri Barcelonës, Pep Guardiala ndryshon gjuhë kundrejt rivalit të tij “më të egër”, Hoze Murinjo.

Trajneri katalanas këtë herë është hedhur në sulm duke thumbuar kolegun portugez në lidhje me sulmet e këtij të fundit përsa i përket përzgjedhjes së gjyqtarëve në sfidat mes këtyre dy skuadrave.

“Nëse UEFA përcakton një gjyqtar portugez mendoj që trajenri i Realit do të ishte mjaft i kënaqur”, tha Guardiola për mediat sportive spanjolle duke iu referuar njërës nga përballjet e sezonit të kaluar mes tij dhe Murinjos ( në stolin e Interit ) në Ligën e Kampionëve e gjykuar nga portugezi, Olegario Benquerença.

Reali dhe Barcelona do të përballen në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampioneve ditën e mërkurë në Bernabeu, ndeshje kjo e treta nga katër brenda një muaji mes dy superklubeve spanjolle.

“Klasikja” e parë e vlefshme për Primera Division përfundoi në barazim 1-1, ndërkohë që në finalen e Kupës së Mbretit, Mou triumfoi në minutat shtesë falë një goli të Ronaldos. Tashmë mbetet për t’u parë fituesi në sfidën e tretë, panorama e së cilës do të plotësohet në Camp Nou më 3 maj.

Top Channel