Ndryshojnë taksat për birrën dhe veshjet

23/04/2011 08:00

Ministria e Financave ndërmerr një fushatë të gjerë për ndryshimin e legjislacionit fiskal, tani në prag të zgjedhjeve.

Janë tre projektligje shumë të rëndësishme që prekin bizneset VIP sa i takon tatimfitimit, sektorit të birrës lidhur me akcizën dhe për veshjet që importohen nga jashtë.

Biznesi është njohur me ndryshimet dhe pritet firma e Kryeministrit Berisha për t’ia përcjellë më pas për miratim Kuvendit të Shqipërisë.

Të gjitha veshjet që futen në vendin tonë do të importohen nga jashtë pa paguar taksën doganore prej 10 përqindësh.

Bëhet fjalë për të gjitha kategoritë e veshjeve, të gatshme, të markave të ndryshme, që vijnë nga Bashkimi Europian, të cilat sipas variantit të propozuar nga Ministria e Financave, do të futen në tregun shqiptar pa taksë doganore.

Aktualisht, taksa ka një shkallë tatimi prej 10 përqindësh dhe propozohet të bëhet zero. Mësohet se nga kjo heqje e taksës, buxheti i shtetit do të humbasë rreth 1 miliard lekë, por nga ana tjetër përmbush një kërkesë të kahershme të biznesit vendas dhe vjen në kuadër të direktivave të BE-së ndaj MSA-së.

Heqja e taksës prek edhe disa lëndë të para për prodhimin e veshjeve. Sektori i fasonit deklaron se nga ndryshimi i taksës nuk përfiton asgjë, por vetëm një pjesë të prodhimit vendas. favorizohen importuesit.

Ndërkohë, ajo çfarë propozohet nga Ministria e Financave për birrën është vendosja e taksës së akcizës në varësi të prodhimit, pra në formë të përshkallëzuar.

Kështu, për prodhim të birrës deri në 70,000 hl (hektolitra), niveli i akcizës është 10 lekë/litër, për sasi prodhimi nga 70,001 deri në 200,000 hl, akciza bëhet 12 lekë/litër, për sasi nga 200,001 deri në 300,000 hl, bëhet 15 lekë/litër dhe për prodhim që e kalon sasinë vjetore 300,000 hl, akciza e propozuar është 30 lekë/litër.

Top Channel