Menaxhimi, IFC-ja këshillon biznesin

23/04/2011 08:20

Projekti i Qeverisjes së Korporatave synon të ndihmojë kompanitë dhe bankat për të përmirësuar praktikat e tyre qeverisëse, të punojë me institucionet publike për të hartuar një kuadër efektiv për qeverisjen e korporatave, si dhe të mbështesë institucionet arsimore të rrisin kapacitetet e tyre në këtë fushë.

Në kuadër të këtij projekti, që nga viti 2005 në Shqipëri janë organizuar disa trajnime, janë ofruar shërbime konsulence për disa biznese, është krijuar Instituti Shqiptar për Qeverisjen e Korporatave.

Projekti i IFC (pjesë e Grupit të Bankës Botërore) për Qeverisjen e Korporatave është bashkëfinancuar nga sekretariati i Shtetit për Çështje Ekonomike (SEKO).

Në ekonominë globale, moderne, shumica e kompanive (të vogla apo të mëdha, qofshin ato private, publike/shtetërore, familjare apo me diversitet të aksionerëve) varen nga burimet e jashtme për kapital (aksione, kredi, apo të ngjashme) me qëllim financimin e aktivitetit të biznesit të tyre dhe sigurimit të qëndrueshmërisë së biznesit.

Një siguri e tillë mund të arrihet duke zbatuar një sistem të qëndrueshëm të qeverisjes së korporatave dhe praktikave të kontrollit përshtatur për kompaninë në fjalë.

Kriza aktuale globale financiare ka nxjerrë në pah rëndësinë e transparencës dhe qeverisjes së mirë të korporatave. IFC-ja prej kohësh po ndihmon biznesin shqiptar për një menaxhim më të mirë të burimeve.

Te shumica e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme ekziston bindja se qeverisja e korporatave është e rëndësishme vetëm për kompanitë e mëdha.

“Megjithatë, qeverisja e mirë e korporatave paraqet përfitime të konsiderueshme për të gjitha kompanitë, qoftë të mëdha apo të vogla, dhe jo vetëm kur është fjala për tërheqjen e kapitalit, por edhe atëherë kur kërkohen investime apo shitje të biznesit”, deklarohen IFC.

Top Channel