Kosovë, dhunë në ndeshjen e basketbollit

22/04/2011 15:35

Ndeshja mes basketbollistëve të skuadrave Sigal Prishtina dhe Bambit nga Mitrovica e Veriut, ka përfunduar me dhunë mbrëmjen e së enjtes.

Policia e Kosovës është përleshur me tifozët e skuadrës së Prishtinës “Plisat”. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, dhuna shpërtheu kur pjesëtarë të policisë, disa prej tyre serbë të Mitrovicës, janë ndier të fyer nga tifozët prishtinas “Plisat” dhe mënyrës se si ata po festonin fitoren me rezultat 80:73 ndaj Bambit.
 
Në këtë rast, policia ka përdorur spërkatës, por edhe i ka goditur tifozët. Në këtë përleshje, disa nga policët, por edhe disa tifozë, kanë pësuar lëndime të ndryshme.
 
Zyrtarisht, Policia e Kosovës ka thënë se ka qenë e planifikuar ardhja e njësisë speciale nga Mitrovica, njësit ky që perbëhet kryesisht nga policë serbë.
 
Pas daljes jashtë palestrës sportive në Pallatin e Rinisë, “Plisat” kanë nisur hedhjen e gurëve në drejtim të policisë.
 
“Plisat” kanë dëmtuar disa automjete policie dhe i kanë vënë zjarrin njërit prej tyre.

Top Channel