
Një nga anëtarët e komisionit të vlerësimit të kostos së demontimit të municioneve në Gërdec, Kol Dedgjoni gjatë dëshmisë së tij të dhënë në gjykatë deklaroi se Uzina e Poliçanit mund të arrinte të demontonte me bilanc pozitiv financiar përpara se “Albademil” të fitonte tenderin.
Dedgjoni u shpreh se komisioni në të cilën bënte pjesë, i kërkoi ofertat e uzinave ushtarake në Shqipëri dhe vërejti se me bilanc pozitiv dilte vetëm Poliçani.
Dedgjoni ishte një nga anëtarët që nuk e kishte firmosur aktin për të dhënë një shoqërie konçesionare të drejtën e demontimit të fishekëve në Shqipëri.
Grupi i prokurorëve ka deklaruar se, pas ikjes së tij si anëtar nga ky komision, është firmosur se Poliçani ka një ofertë me bilanc negativ në demontim, për të cilën Dedgjoni u shpreh se, nuk ishte në dijeni të këtij veprimi dhe se mund të ishte vetë uzina e armëve në Poliçan ajo që mund të ishte tërhequr nga oferta e parë.
Dëshmia e Dedgjonit, me profesion financier dhe me një karrierë 18 vjeçare në Ministrinë e Mbrojtjes, risolli edhe njëherë në vëmendjen e proçesit gjyqësor faktin se, të paktën një prej uzinave shqiptare shtetërore të specializuara për demontin armësh ishte në gjendje edhe të përfitonte ekonomikisht nga ky demontim, i cili u dha me konçesion një kompanie private siç ishte “Albademil”.
Një ish anëtar i komisionit që bëri vlerësimin e uzinave për demontimin e municioneve dëshmoi në proçesin gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit duke thënë se atë që po bënte “Albademil” në Gërdec ishte në gjendje ta bënte shumë mirë uzina e Poliçanit.
Top Channel