Reali “Mbreti” i Spanjës

21/04/2011 00:15

Janë dashur 120 minuta lojë që Reali i Madridit të mundë Barcelonën në finalen e Kupës së Mbretit në Spanjë.

Minutat e para treguan se Mou e kishte zgjidhur “enigmën” se si të ndalte Messi & Co. Reali kontrollon më shumë lojën, shpesh edhe me ndërhyrje të ashpra dhe tregohet më i rrezikshëm përballë portës katalanase. Mes tensioneve dhe ndërhyrjeve të ashpra, pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola.

Në pjesën e dytë, Barcelona përpiqet të imponojë lojën e saj me pasa të shpejta e të shkurtra, por madrilenët vijojnë taktikën e pjesës së parë, duke bllokuar mjaft mirë lojën katalanase. Edhe kjo pjesë nuk solli ndryshimin e rezultatit.

Trofeu i dytë në Spanjë do të vendosej nga një gol i shënuar me kokë nga Kristiano Ronaldo në minutën e 103 të pjesës së parë të shtesës.

Si për të vijuar traditën e Murinjos, që luan përballë Barcelonës me 10 lojtarë, në minutën e fundit të shtesës totale, Di Maria ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë duke u larguar nga fusha. Gjithsesi, fërshëllima finale nxjerr Real Madrid fitues të Kupës së Mbretit, duke i marrë Barcelonës trofeun e parë nga 3 që ishin në luftë bashkë.

El Clasico rikthehet me dy sfidat që vlejnë sa një finale në Ligën e Kampioneve, fillimisht në Bernabeo më 27 prill e më pas në Camp Nou më 3 maj.       

Top Channel